12 të arrestuar në Gjermani, planifikonin sulme ndaj azilkërkuesve dhe myslimanëve

Evropë

12 të arrestuar në Gjermani, planifikonin sulme ndaj azilkërkuesve dhe myslimanëve

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Policia gjermane ka arrestuar të premten 12 persona nën dyshimin se kanë krijuar një organizatë të së djathtës ekstreme, që synonte sulme ndaj politikanëve, azilkërkuesve dhe myslimanëve në vend.

Prokurorët e rastit kanë bërë të ditur se katër nga të dyshuarit e arrestuar kanë qenë përgjegjës për krijimin e një “organizate terroriste” gjatë shtatorit të 2019-s. Grupi kishte mbajtur takime dhe kontakte të rregullta përmes forumeve të ndryshme të komunikimit në internet. Por megjithëkëtë nuk e kishte përgatitur ndonjë plan për sulm të menjëhershëm.

Tetë të arrestuarit e tjerë janë vënë në mbajtje, nën dyshimin se e mbështesnin organizatën me para dhe armë, ka njoftuar Prokuroria gjermane.

Synimi i kësaj organizate ishte që përmes sulmeve të krijonte kaos dhe atmosferë frike, ngjashëm si në kohë luftë civile.

“Qëllimi i organizatës ishte që t’i trondiste dhe përfundimisht t’i rrënonte sistemin demokratik dhe kohezionin shoqëror në Gjermani”, ka njoftuar prokuroria. “Me qëllim të krijimit të kushteve, që do t’i ngjasonin një lufte civile, ata kishin përgatitur plane për sulme ende jo krejtësisht konkrete ndaj politikanëve, azilkërkuesve dhe shtetasve gjermanë të besimit mysliman”.

Qeveria gjermane ka ndërmarrë vitin e shkuar masa të ashpra me qëllim të çrrënjosjes së dhunës politike të krahut ekstrem, ashtu që ta frenojë rritjen e shkallës së krimeve të nxitura nga urrejtja.

Masat e reja që u zbatuan pas vrasjes së një politikani gjerman pro-imigracionit, si dhe sulmeve të përgjakshme ndaj lokacioneve fetare, përfshijnë kufizime më strikte për posedim armësh dhe monitorimin më të rreptë të gjuhës së urrejtjes në internet.

Qeveria ka njoftuar po ashtu se rreth 90 për qind e 1.800 incidenteve të regjistruara kundër hebrenjve gjatë vitit të shkuar ishin kryer nga individë që mbështetnin pikëpamje të së djathtës ekstreme. Agjencia gjermane e Inteligjencës ka vlerësuar se rreth 24 mijë e 100 “ekstremistë të së djathtës ekstreme” veprojnë në vend dhe se gjysma e tyre janë potencialisht të dhunshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat