Britania i shtrëngon rregullat: S’ka punë për të pakualifikuarit dhe ata që s’dinë anglisht - Bota Sot
Britania i shtrëngon rregullat: S’ka punë për të pakualifikuarit dhe ata që s’dinë anglisht

Evropë

Britania i shtrëngon rregullat: S’ka punë për të pakualifikuarit dhe ata që s’dinë anglisht

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 08:40
Foto ilustrim

Mbretëria e Bashkuar pritet t’i ashpërsojë rregullat e hyrjes dhe qëndrimit në territorin e saj për të huajt. Në mesin e masave përfshihet ndalimi i hyrjes për punëtorët e pakualifikuar dhe ata që nuk e njohin gjuhën angleze.

Këto masa janë pjesë e ndryshimeve rrënjësore të ligjeve të imigracionit, që pritet t’i prekin më së shumti punëtorët e fabrikave, hoteleve dhe restoranteve, shkruan “The Guardian”.

Pas prezantimit të sistemit të ngjashëm me atë të Australisë, qeveria britanike tha të mërkurën se po e shfrytëzon një mundësi unike për t’i marrë nën kontroll të plotë kufijtë britanikë për herë të parë në disa dekada.

Ndaj këtij vendimi reaguan menjëherë udhëheqësit e industrive që do të preken nga këto masa. Ata e akuzuan qeverinë për sulm ndaj ekonomisë dhe paralajmëruan pasoja shkatërruese, përfshirë humbjen e vendeve të punës dhe mbylljen e fabrikave.

Ndryshimi i paralajmëruar nga qeveria u kritikua edhe nga Partia Laburiste dhe Partia Liberaldemokrate. Edhe shoqata e punëtorëve shëndetësorë doli kundër planit të qeverisë, duke thënë se ai paraqet katastrofë për sektorin e kujdesit shëndetësor.

Sipas masave të reja, të gjithë të huajt që dëshirojnë të punojnë në Britani duhet të kenë ofertë nga punëdhënësi me prag të pagës vjetore prej së paku 20 mijë e 480 funteve. Sidoqoftë, përparësi për leje pune do të kenë profesionistët e sektorëve që kanë mungesa të fuqisë punëtore dhe ata që e mbajnë titullin e doktorit të shkencave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat