Kreu i BKA: “Nuk jemi të verbër tek syri i djathtë”

Evropë

Kreu i BKA: “Nuk jemi të verbër tek syri i djathtë”

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 09:57
Gjermania e tronditur pas vrasjeve në Hanau

Kohët e fundit ka pasur shumë kritika ndaj Zyrës Federale për Luftimin e Kriminalitetit (BKA) e shërbimeve të tjera të sigurisë. Ato kritikohen, se nuk kanë vepruar sa duhet kundër ekstremistëve të krahut të djathtë.

Presidenti i BKA ishte i qetë dhe miqësor në paraqitjen e tij publike të premten e kaluar. Holger Münch iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve për gjendjen pas vrasjeve me motiv ekstremist të djathtë terorrist në Hanau. Nëntë persona me origjinë të huaj ka vrarë gjermani i dyshuar Tobias R.

Münch u përball me pyetje të ngjashme si dhe shumë politikanë, si për shembull: „A ka ekzistuar mundësia që të parandalohet sulmi i këtij personi, a ka pasur më parë ndonjë dyshim?" Kjo pyetje ndërlidhet edhe me pyetjen tjetër: A kanë gabuar autoritetet dhe shërbimi i BKA në rastin e Tobias R.? "Për këtë pyetje ende nuk mund të përgjigjem", thotë Münch. Ai nuk përjashton një mundësi të këtillë, por menjëherë shton: „Ne nuk jemi të verbër tek syri i djathtë." Por shtrohet pyetja, „a kemi mundur t'i shohim të gjitha?". Shpesh janë parë pak gjëra, e ndonjëherë nuk është vërejtur asgjë. Shefi i BKA thotë, se rastet më të rënda janë kur personat veprojnë në mënyrë individuale, pa qenë pjesë e ndonjë strukture.

Image
Holger Münch

Tobias R. dhe i dyshuari për sulmin në sinagogën e qyetit Halle janë raste të këtilla. Ata kanë lënë gjurmë në internet, ku dëshmohet urrejtja e tyre ndaj të huajve, hebrenjve dhe myslimanëve, por këtë e bëjnë me mijëra persona të tjerë. E shumica e rasteve të këtilla nuk zbardhen kurrë. Për të ndjekur në mënyrë më efikase persona të tillë, qeveria federale ka paraqitur edhe një katalog masash, të përmbledhur në një projektligj. Pikat kryesore janë paraqitja në BKA e rasteve të rënda të shprehjes së urrejtjes ndaj të huajve.

Analiza e personave të rrezikuar

Politikanët kanë reaguar kështu dhe kanë plotësuar një dëshirë të kahershme të Holger Münchit. Më së largu, pas vrasjes së politikanit Walter Lübcke, në qershor të vitit 2019 është vendosur që lufta kundër ekstremizmit të djathtë të ketë prioritet. Në BKA ekziston një qendër për luftimin e kriminalitetit të shprehur përmes urrejtjes në internet. Bundestagu ka lejuar paratë dhe mjetet e domosdoshme për këtë.

Një masë tjetër është analiza dhe mbikqyrja e personave të rrezikuar nga idetë djathtiste. Bëhet fjalë për personat që dyshohen si atentatorë të mundshëm. "Të tillë ka rreth 60", thotë Münch. Por tendenca është në rritje." BKA ka vërejtur këtë tendencë në 2-3 vitet e fundit. Në anën tjetër, autoritetet e sigurisë kanë regjistruar rreth 700 persona të tillë në radhët e islamistëve në Gjermani.

Së bashku me Zyrat e landeve për luftën kundër kriminalitetit, BKA po merret tani intensivisht edhe me skenën e djathtë ekstreme, ku po bëhen analizat e secilit person. Tani po vëzhgohet në mënyrë intensive edhe rrethi i personave të këtillë. Qëllimi është që të zbulohen me kohë personat që vërtet mund të kryejnë ndonjë vepër terroriste. Ne po përpiqemi të zbulojmë dhe kontrollojnë të gjitha rrjetet, thotë Münch.

Image
Solidaritet me viktimat në Hanau

Presidenti i BKA thotë se kohët e fundit është vërejtur jo vetëm rreziku i akteve të dhunshme, por edhe rreziku i krijimit të rrjeteve dhe grupeve terroriste. Rasti i fundit është arrestimi i 12 personave të dyshuar për përgatitjen e akteve terroriste, me 14 shkurt. Dyshohet se këta persona kanë qenë në fazën e përgatitjes së sulmeve ndaj politikanëve, kampeve për refugjatë dhe xhamive, me qëllim shkaktimin e një „gjendje të ngjashme me luftën qytetare".

AfD në shënjestër

Pa mbështetjen e autoriteteve të tjera të sigurisë dhe organizatave civile, BKA nuk mund të ketë suksesin e pritur. Shumë me rëndësi është shkëmbimi i informacioneve me Zyrën për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV). Lufta kundër ekstremizmit të djathtë ka ndërkohë prioritet. Por tek këto autoritete ka pasur deri tani shumë mangësi. Deri tani nuk është sqaruar, se cilat kanë qenë lëshimet e BfV dhe zyrave të landeve në rastin e vrasjeve të grupit terrorist NSU.

Në vitin 2018, BfV ka ndryshuar kursin. Këto autoritete tani janë të financuar më mirë dhe kanë më shumë punonjës, në luftën kundër ekstremizmit. Qëllimi është zbulimi me kohë edhe evitimi i sulmeve të mundshme. Në tetor të vitit 2019 është hapur edhe një linjë telefonike ku mund të lajmërohen dyshimet për ekzistencën e personave apo rrjeteve ekstremiste. Kjo do të thotë se janë shtuar masat ndaj personave të dyshuar, e këtu përfshihet edhe partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermani (AfD), e cila prej vitit 2019 dyshohet për afërsi me këto rrjete. Këto masa i ka mbështetur edhe ministri i Brendshëm, Horst Seehofer. Por sa e vështirë do të jetë kjo luftë kundër ekstremistëve, dëshmon edhe atentati i fundit i tmerrshëm në Hanau./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat