Zelenskiy: 26 shkurti, dita përkujtimore për Krimenë

Evropë

Zelenskiy: 26 shkurti, dita përkujtimore për Krimenë

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 20:22
Volodymyr Zelenskiy

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka nxjerrë një dekret që përcakton 26 shkurtin, ditë përkujtimore për të shënuar aneksimin e rajonit të Krimesë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014.

Rusia mori gadishullin e Detit të Zi në mars 2014 pasi dërgoi trupa dhe organizoi një referendum që konsiderohet i paligjshëm nga të paktën 100 vende. Në prill të atij viti, Rusia dha mbështetjen e saj për separatistët e armatosur në Ukrainën lindore, ku më shumë se 13,000 njerëz janë vrarë nga konflikti që ende vazhdon.

26 shkurti u caktua Dita e Rezistencës ndaj Pushtimit të Krimesë dhe Sevastopolit, sepse në atë ditë në vitin 2014 ukrainasit zhvilluan protestën më të madhe në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol, kundër ndërhyrjes së Rusisë në gadishull pas rrëzimit të Presidentit Viktor Janukoviç, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit Zelenskiy.

Zelenskiy tha gjithashtu se kthimi i Krimesë në Ukrainë nuk ishte vetëm qëllimi i tij si udhëheqësi i vendit, por edhe qëndrimi i tij personal si qytetar ukrainas.

Zelenskiy tha se Ukraina kishte mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në luftën e saj për të rikthyer Krimenë.

"Ne e dimë se kjo ditë është e sigurtë se do të vijë," u citua të thoshte Zelenskiy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se masa e Zelenskiy "nuk korrespondon me situatën reale rreth Krimesë", duke shtuar se Moska "kategorikisht" nuk pajtohet me formulimin e dekretit të Zelenskiyt.

Një ditë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump zgjati për një vit një seri sanksionesh të vendosura më parë ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, në veçanti, aneksimin me forcë të Krimesë dhe destabilizimin e mëtejshëm të vendit.

Urdhri ekzekutiv i Trump u nënshkrua mëë 25 shkurt dhe përfshin një paketë të sanksioneve që janë zgjeruar me kalimin e kohës që nga 6 mars 2014.

Ato u prezantuan për herë të parë nga administrata e ish-presidentit Barack Obama dhe u zgjeruan edhe tre herë më shumë në vitin 2014, si dhe në 2018-ën.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump thotë se veprimet e Rusisë, përfshirë "aneksimin e saj të Krimesë dhe përdorimin e forcës në Ukrainë ... minojnë proceset dhe institucionet demokratike në Ukrainë; kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial; dhe kontribuojnë në përvetësimin e pasurive".

Për të "trajtuar këtë emergjencë", "sanksionet" duhet të vazhdojnë të mbeten në fuqi përtej 6 marsit 2020 ", thuhet në urdhrin ekzekutiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat