I shpëtoi koronavirusit, flet italiania: Nuk ka kushte për të përballuar emergjencën! Fjeta në barelë, nuk mora kurë

Evropë

I shpëtoi koronavirusit, flet italiania: Nuk ka kushte për të përballuar emergjencën! Fjeta në barelë, nuk mora kurë

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 12:10
Morena Colombi

"Unë isha një shqetësim për të gjithë vendin, por tani jam shëruar", tha një grua 59-vjeçare nga Italia që u infektua me koronavirus.

Morena Colombi nga Trucazzano, zonë në Milano foli publikisht për sëmundjen që ka prekur shtete të ndryshme të botës duke bërë thirrje për qetësi.

"Unë mendoj se ka shumë alarm dhe histeri të ekzagjeruar. Njerëzve duhet t’u thuhet që nëse diagnostikohen me koronavirus, do të mbijetojnë dhe do të shërohen", shpjegoi ajo në emisionin e Barbara D’Urso.

Morena filloi të ndihej keq në ditën e Shën Valentinit dhe shkoi për vizitë ku u diagnostikua me grip normal. Ditët në vijim kuptoi se diçka nuk shkonte me të.

"Së pari, nuk kam më ethe. Së dyti, ftohja nuk ikën. Së treti, kam një kollë shumë të thatë që nuk ikën. Po sikur të ishte virusi? Këtë mendova se kompania për të cilën unë punoj ka shumë marrëdhënie me Lindjen", tha ajo në një intervistë për La Stampa.

Dhe kështu vendosi të telefonojë 112.

"Pas shumë përpjekjesh, munda të flas dhe më thanë: ‘Ne do ju telefonojmë’, por asgjë nuk fndodhi. Unë vazhdova të ndihem keq dhe shkova në spitalin Sacco në Milano, ku kisha trajtuar një pneumoni bronkiale. Prej aty, më telefonuan dhe më thanë që të shkoj në urgjencë. Shkova në spitalin Treviglio, dhe ata u zemëruan sepse më thanë se duhej të telefonoja 112, më pas i thashë se kjo është që jam përpjekur të bëj ditë me radhë. Më në fund, ata u frikësuan dhe më shtruan në spital", tregon Morena.

Në fjalën e saj denoncoi institucionin shëndetësor duke thënë se nuk kanë kushte për të përballuar urgjencën.

"Nuk ka dhoma të izoluara dhe kështu ata më mbyllin në një zyrë. Qëndrova atje nga e diela në mbrëmje deri në të martën në mëngjes, duke fjetur në një barelë, në një dhomë pa banjë nga e cila natyrisht nuk mund të dilja. Isha aq keq saqë kur u diagnostikova me Covid-19 nuk u frikësova", rrëfen 59-vjeçarja.

Më pas e transferuan me një ambulancë normale në departamentin e sëmundjeve infektive të spitalit Papa Giovanni në Bergamo. Aty nuk i dhanë asnjë kurë specifike por i thanë se duhet të presë derisa ti kalojë.

"Jam pak më mirë, por ende kam simptoma të gripit. Më duhet të qëndroj në shtëpi të paktën katërmbëdhjetë ditë në izolim, gjë që është mjaft e lehtë sepse jetoj vetëm. Unë ende marr takipirinë dhe padyshim që nuk mund të dal, por askush nuk më kontrollon", përfundoi Morena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat