Për herë të parë, prokuroria spanjolle ndjek penalisht një grua për “fake news”

Evropë

Për herë të parë, prokuroria spanjolle ndjek penalisht një grua për “fake news”

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Për herë të parë prokuroria spanjolle depozitoi një padi kundër një fake news, që kishte të bënte me një grua, e cila postoi një video në Twitter ku akuzonte migrantët për ngacmimin e një mësuesje në vend.

Kjo video në fakt ishte filmuar në Brazil më 30 maj 2019, në një shkollë në Carapicuiba, në shtetin e San Paolos, siç u verifikua edhe nga ekipi i kontrollit të fakteve të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, shtatorin e kaluar.

E identifikuar nga policia, kjo grua, e cila jeton pranë Barcelonës, publikoi videon në llogarinë e saj në Twitter më 13 qershor, ku duken disa nxënës që fyenin profesoreshën, përmbysnin dhe hidhnin tavolina në klasë.

Ajo pretendonte se pamjet ishin filmuar në Spanjë.

“Unë po ju dërgoj një video të një shkolle për migrantë e mitur që kanë hyrë ilegalisht në Spanjë. Ju lutem shpërndajeni në mënyrë që Spanja të kuptojë një herë e përgjithmonë se si ata na falënderojnë për pritjen e tyre”, shkroi ajo në mesazhin e saj, sipas ankesës së prokurorisë të Barcelonës, të datës 16 janar.

”Ky person pretendonte të lidhte dhunën e supozuar në klasa me të miturit e pashoqëruar që vinin në vendin tonë nga vendet e tjera. Dhe kjo, për t’i denigruar ata”, thotë prokuroria në padinë e saj.

”Kjo padi është e para në të gjithë Spanjën kundër dezinformacionit, e paraqitur nga prokurori i përgjithshëm”, siguroi zëdhënësi i zyrës së prokurorit të Barcelonës.

Ajo është në duart e një gjykatësi të Sant Feliu de Llobregat, pranë Barcelonës.

Gjykatësi duhet të vendosë nëse do ta pranojë padinë apo ta hedhë poshtë atë. Në rastin e dytë, prokuroria mund të paraqes ankimim.

Ankesa e prokurorisë bazohet në një nen të Kodit Penal spanjoll, që parashikon gjashtë muaj deri në dy vjet burg për ata që janë fajtorë për “denigrimin e dinjitetit” të një grupi të caktuar “përmes veprimeve të bazuara në poshtërim, përçmim dhe diskreditim”.

Për prokurorinë, fakti i transmetimit të kësaj video në një rrjet social me pesë milionë përdorues në Spanjë është një rrethanë rënduese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat