COVID-19, rrëfimi i një gazetari mbi frikërat që kanë pushtuar italianët

Evropë

COVID-19, rrëfimi i një gazetari mbi frikërat që kanë pushtuar italianët

Më: 5 mars 2020 Në ora: 08:28
Ilustrim

Një nënë e re hedh gjithë zell dezinfektues për të pastruar me kujdes rraken e foshnjës së saj me sy të kaltër teksa hidhet në prehërin e saj. Ky është zakonisht një sezon i lagësht e i ftohtë në Lacio, por këtë vit ka pasur shumë ditë me diell e temperatura të ngrohta. Përjashtuar rastin nëse je fermer e që lutesh për më shumë shi sezonal, gjithçka tjetër duket në rregull. Por jo!

Jemi të vetmit që jemi ulur jashtë në një lokal, në një shesh që zakonisht gëlon nga lëvizjet në periferi të Romës, duke pirë kafenë e paramesditës e në rastin tim duke cimbisur një copë tortë. Në një artikull për gazetën “New York Times” të publikuar këtë javë, gazetari dhe autori Beppe Severgnini tërhiqte vëmendjen se shumica e të rinjve italianë dhe ata në moshë të mesme nuk kanë përvojë direkte lufte apo epidemie, në dallim nga të moshuarit, të cilët vuajtën shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Italianët, argumenton ai, e kanë të vështirë të orientohen në situatën aktuale të krijuar nga koronavirusi (COVID-19), e cila siç druhen disa mund të zhvillohet në një situatë më të gjerë dhe më shqetësuese epidemie.

“Shumica prej nesh nuk dinë çfarë të mendojnë”, shkruan ai. “Lëkundjet e humorit janë të dukshme në çdo familje. A është koronavirusi vetëm një grip i keq dhe ne po reagojmë më shumë seç duhet? Apo jemi përballë një epidemie serioze dhe ka shumë arsye për t’u shqetësuar? Ai shton se “në këtë mënyrë ata (italianët) përpiqen të gjejnë një reagim të përshtatshëm” ndaj situatës. Shumë prej tyre shkojnë në ekstreme duke shfaqur një psikikë të ndarë kombëtare. Disa mësyjnë në supermarkete në varësi të shifrave më të fundit të të prekurve dhe dukshëm largojnë me nervozitet këdo u del përpara veçanërisht ata me pamje aziatike. Disa shfaqin një moskokëçarje teatrale, duke këmbëngulur të shtrëngojnë duart ndërsa ankohen me zë të lartë sa absurd është fakti që ndeshjet e kampinatit të futbollit janë shtyrë. Pamjet filmike që tregonin një burrë të moshuar tek ankohej për raftet e zbrazura nga makaronat në dyqane, qarkulloi gjërësisht në median sociale.

Rrugët pothuajse janë boshatisur, restorantet gjithashtu dhe në dyqanet e zakonshme zor se gjen këmbë njeriu madje edhe në qytete me asnjë rast të konfirmuar prej rreth qindra kilimetrash larg. Lazio, në kohën që ky artikull u shkrua, kishte vetëm 12 raste të konfirmuara me koronavirus. Ndërsa shifrat rriten në veri të vendit në Lombardi, Veneto dhe Emilia Romanja, rajonet më të prekura, njerëzit këtu po bëhen edhe më të zymtë. Ata dëgjojnë njoftimet e mbrëmjes të publikuara në internet nga Autoriteti i Mbrojtjes Civile me rrudha në ballë që kryesisht shoqërojnë fytyrat e italianëve kur shohin rezultatet e ndeshjeve të futbollit. Një mik, pronar i një restoranti ka vendosur të mos i ndjekë lajmet. Ai thotë se kjo është shumë dëshpëruese ndaj dhe është më mirë të mos i dëgjojë. Më mirë të qëndrosh i paditur. Por kjo është vetëm një maskë që ai e heq kur duhet të bëjë bilancin e ditës. Ai ma thotë këtë në restorantin e tij të zbrazët ndërsa unë jam njeriu i vetëm që po darkoj. Në fytyrën e tij shihet i njëjti alarm që unë kam parë në fytyrat e pronarëve të tjerë të biznesve të vogla që pyesin veten nëse do t’i mbijetojnë ndikimit ekonomik të koronavirusit.

Kjo është frika më e madhe për shumicën e italianëve. Shumica e atyre nën moshën 60 vjeç nuk duken të shqetësuar se mund të infektohen nga virusi. Ata kanë besim, siç duhet të ndodhë, se do të mbijetojnë e se do të kalojnë disa ditë me sikletin që të shkakton një gjendje gripale. Por ajo që i tremb janë rreziqet e mundshme në ekonomi, në veprimtarinë e biznesit të tyre apo tek familjet e tyre. A do t’i shkatërrojë ëndrrat dhe shpresat apo vite të tëra pune të palodhur?! Ndërsa të rinjtë mund të jenë më pak të shqetësuar nga koronavirusi, të moshuarit sigurisht që janë të alarmuar. Të martën, Agjensia Kombëtare për Mbrojtje Civile konfirmoi se virusi ka shkaktuar 79 të vdekur në Itali, që variojnë mes 63 dhe 95 vjeç dhe me një histori sëmundjesh ekzistuese të fshehura. Italia është një vend i vjetër, jo vetëm për sa i përket historisë së saj të pasur, por edhe demografisë. Rreth një e katërta e italianëve janë mbi moshën 65 vjeç. Një rritje e rasteve të reja nuk do të thotë rritje e rasteve serioze thonë zyrtarët. Por kjo nuk duket se u jep shumë siguri të moshuarve.

Një gjë është e qartë, se përhapja e koronavirusit nuk mund të ndalet, apo qoftë dhe të ngadalësohet vetëm falë veprimeve të qeverisë, madje edhe pas ndërhyrjes vendimtare e të shpejtë të ndërmarrë nga koalicioni i kryeministrit italian Giuseppe Conte. Të gjithë duhet të kontribuojnë qoftë edhe vetëm duke i kushtuar më shumë vëmendje higjienës personale, larjes së shpeshtë të duarve, teshtitjes e kollitjes në shami letre, që duhen hedhur menjëherë në vende të sigurta. Ulja e numrit të udhëtimeve, shmangia e kontakteve njerëzore të gjitha luajnë një rol në shmangien e një rritje të shpejtë e të papritur të infeksionit, përndryshe shërbimet e kujdesit shëndetësor do të përjetonin probleme, thonë zyrtarët italianë. Komenteve të tyre u bënë jehonë homologët në Britani e gjetkë në Evropë, të cilët po ndjekin me ankth shifrat në rritje në Itali, duke iu frikësuar një fati të ngjashëm.

Por a jemi në gjendje për vetëdisiplinë? Tronditës është fakti se ka pasur të paktën pesë tentativa për arratisje nga një ashtuqujtuar “zonë e kuqe” që përfshin rreth 10 qytete të futura në izolim në Lombardi. Ata u ndalën nga policia, megjithëse njëri prej tyre ia doli të arratisej në një rajon tjetër. Në Londër, gazetarja Clare Foges shkruan me shqetësim se: “ne jemi tepër egoistë për të ndalur përhapjen e koronavirusit”. Ajo shkruante se shqetësimi i saj më i madh nuk ka të bëjë me aftësinë ripërtëritëse të shërbimit shëndetësor të vendit apo se sa kohë do t’u duhet studiuesve që të zhvillojnë një vaksinë, por rreth gatishmërisë së publikut për t’iu përgjigjur sfidës.

“Për ta ndalur përhapjen e virusit qeveritë në të gjithë botën duhet të mbështeten tek qytetarët të cilët duhet të bëjnë atë çka u thuhet… Por në një kohë që të gjithë gëzojnë privilegjin e të paturit të drejta, në epokën e individit, apo të populizmit kundër të politikës tradicionale, kjo duket një mundësi e vakët”, shkruan ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat