Aleancat vështirësojnë pozicionin rus në Siri

Evropë

Aleancat vështirësojnë pozicionin rus në Siri

Më: 6 mars 2020 Në ora: 14:10
Foto Ilustrim

Për gati pesë vjet, Rusia arriti të bëjë aleanca me dy kundërshtarë në Siri, duke iu bashkuar Iranit në mbështetje të diktatorit sirian Bashar al-Assad ndërsa në bashkëpunim me Turqinë, që është armik i Damaskut, luftoi Shtetin Islamik. Ekspertët thonë se dhuna pas luftimeve të fundit në provincën e Idlibit dhe përfshirja e aleatëve rusë në Damask në luftime kundër forcave turke, mund të zbehin ndikimin në rritje të Moskës në Lindjen e Mesme.

Që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2015, Rusia, përkundër fushatës ushtarake të saj, arriti të ruajë një rrjet të ndërlikuar aleancash, ku Presidenti Vladimir Putin mbështet qeverinë siriane të Bashar al-Asadit dhe është lidhur me Iranin duke lënë mënjanë dallimet.

Por befasia më e madhe është marrëdhënia që Rusia ka me Turqinë.

Ndonëse i armiqësuar me Damaskun, udhëheqësi turk Recep Tayyip Erdogan bashkëpunoi me Kremlinin kundër armikut të përbashkët, Shtetit Islamik.

Megjithatë analistët thonë se marrëdhëniet mes tyre janë thjesht çështje interesi.

“Nuk them se janë aleatë. Por partnerë, po. Por në të njëjtën kohë janë edhe kundërshtarë. Sepse, qëllimi kryesor i Rusisë është mbajtja në fuqi e Bashar al-Assadit. Kjo është detyra kryesore e politikanëve rusë në Siri dhe Lindje të Mesme”, thotë analisti nga Instituti për Dialog të Civilizimit, Alexey Malashenko.

Qëndrimet kontradiktore i vëjnë dy vendet në pozicione konflikti në Idlib, territor në veriperëndim të Sirisë që është një nga bastionet e fundit të kundërshtarëve të Assadit.

Sulmet e qeverisë së Assadit, me mbështetje ajrore të Rusisë, detyruan rreth 900 mijë banorë të largohen nga kufiri Rusi-Turqi.

Nga ana tjetër, Turqia është zotuar të mbrojë territorin dhe çdo rebel të ngelur, me çdo lloj çmimi.

Të dielën Turqia rrëzoi dy avionë luftarakë mbi Idlib dhe goditi një bazë ushtarake të qeverisë në një zonë të thellë siriane.

Kjo si kundërpërgjigje ndaj një sulmi sirian dy ditë më parë që vrau mbi 3- ushtarë turq që patrullonin në Idlib bazuar në marrëveshjen e negociuar nga rusët më 2018.

Ndërsa Turqia ndaloi së fajësuari Moskën për vdekjet e ushtarëve, ajo kërkon nga Rusia që të ushtrojë ndikimin e vet mbi Damaskun.

Por vëzhguesit në Moskë thonë se mundësitë ruse për të vendosur kushte janë të kufizuara.

“Sigurisht rusët kanë ndikim të caktuar mbi Damaskun. Por shikuar nga një kënd tjetër, Rusia është e bllokuar në Siri. Për shembull, Rusia nuk mund t’i thotë Damaskut nëse nuk e bëni këtë, ne do të tërheqim trupat dhe të largohemi”, tha analisti Alexey Khlebnikov.

Me ambicjet që Rusia ka për shtrirje të ndikimit në Lindje të Mesme, ambicje kjo e varur nga mbijetesa politike e Asadit, Rusisë nuk i mbetet gjë tjetër pos të mbështesë Damaskun në mënjanimin e Ankarasë.

Vëzhguesit thonë se Rusia nuk dëshiron të provokojë një konflikt të drejtpërdrejtëme anëtaren e NATO-s Turqinë, apo të sabotojë marrëveshjet e fundit për armët, gazin dhe energjinë bërthamore.

“Një përballje, konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe Turqisë nuk do të ndodhë kurrë. Pavarësisht deklarimeve. Nuk ka vlerë për asnjërën palë”, thotë Alexey Malashenko, analist.

Të enjten zoti Erdogan udhëton për në Moskë ku do të takojë zotin Putin.

Kjo do të jetë prova e re e rrjetit të ndërlikuar të politikave ruse në Siri dhe Lindje të Mesme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat