Kroacia merr masa për virusin, në stadiumin e Zagrebit po vendosen shtretër të spitaleve

Evropë

Kroacia merr masa për virusin, në stadiumin e Zagrebit po vendosen shtretër të spitaleve

Më: 21 mars 2020 Në ora: 16:34
Ilustrim

Autoritetet në Kroaci kanë filluar të vendosin shtretër të spitaleve në stadiumin “Zagreb Arena”. Aty pritet të vendosen pacientët që nuk janë në gjendje serioze dhe të cilët janë duke u trajtuar në spitale lokale. Kjo masë do të merret me qëllim që të lirohen më shumë vende në spitale për personat e infektuar me virusin Covid-19.

Këta shtretër po vendosen nga pjesëtarët e mbrojtjes civile, bëri të ditur Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile përmes një deklarate.

Së fundi, në Kroaci u konfirmuan tetë raste të reja të infektimit me koronavirus, duke e çuar në 113 shiftën e përgjithshme të të infektuarve në ish-republikën jugosllave.

“Gjendja epidemiologjike po jep shenja për transmetim lokal të virusit. Sidoqoftë, kjo tash nuk është e rëndësishme, sepse disa ditë më parë ne vendosëm ta rrisim mbrojtjen në një nivel më të lartë. E dimë numrin e të infektuarve, e dimë dinamikën me të cilën po rritet ky numër, presim më shumë raste ditëve të ardhshme, por tash për tash jemi të kënaqur me situatën dhe do të përpiqemi ta mbajmë kështu sa më gjatë që është e mundur”, tha ministri kroat i shëndetësisë, Vili Beros.

Personeli i ushtrisë kroate të enjten filloi të montojë tenda dhe ta ngrisë një kamp përballë spitalit “Dubrava” në Zagreb. Kapaciteti i kampit do të jetë me 270 shtretër.

Kampi do të jetë i ndërtuar në stilin e spitalit fushor, por mund të përdoret edhe për qëllime civile në rast të fatkeqësive natyrore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat