Një vajzë e shëndetshme 16-vjeçare ndërron jetë si pasojë e COVID-19

Evropë

Një vajzë e shëndetshme 16-vjeçare ndërron jetë si pasojë e COVID-19

Më: 28 mars 2020 Në ora: 06:28
Julie

Një vajzë në moshë të mitur humbi jetën tragjikisht pak ditë pasi përfundoi në spital, e prekur me koronavirus. Vajza është Julie, një 16 vjeçare në Paris, e cila sikundër konfirmuan autoritetet, vdiq në spitalin e fëmijëve në Paris, si pasojë e COVID-19.

Julie ishte pacientja më e re në Francë e cila vdiq nga një virus që deri tani thuhej se prek më tepër personat e sëmurë ose të vjetër në moshë.

“Është e tmerrshme”, thotë e dëshpëruar Sabine, mamaja e vajzës. “Ishte thjesht një kollë”.

Një kollë e thjeshtë dhe e lehtë u shfaq para një jave. Si fillim ajo u mundua ta mjekonte me shurup kolle dhe pompë frymëmarrjeje.

Të shtunën, Julie filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje. “Nuk ishte dhe aq keq, por ajo ndjente vështirësi të merrte frymë”, tregon mamaja e saj. Por me kalimin e kohës kolla filloi të bëhej më e shpeshtë dhe vajzën e dërguan për një konsultë tek mjeku ditën e hënë.

Mjeku i përgjithshëm vuri re një mungesë në frymëmarrje, por jo në gjendje të rëndë. Ai vendosi të kontaktonte “Shërbimin e Urgjencës Mjekësore (Samu)”, por në vend të tyre erdhën zjarrfikësit.

Të veshur me doreza, maska dhe veshje mbrojtëse, ata e morën vajzën për ta dërguar në spitalin më të afërt, Longjumeau, Essonne (18 km në jug të Parisit). Asaj i duhej të mbante një maskë prej letre, nën maskën e oksigjenit.

Sabine shkoi në shtëpi. Kur kontaktoi me spitalin, pak më vonë, asaj i treguan për skanerin dhe i thanë se vajza kishte disa probleme pulmonare, por “asgjë serioze”.

Së shpejti ajo do të bënte testin për COVID-19.

Por gjatë natës, nga vështirësitë që Julie kishte në frymëmarrje, e transferuan atë në spitalin e fëmijëve “Necker” në Paris, ku do t’i nënshtrohej dy testeve të tjera për COVID-19.

“Ndjej një dhimbje në zemër”

Julien e shtruan në pavijonin e kujdesit intensiv të martën, në një dhomë të vogël me mure blu dhe me kukulla të vizatuara në to. “Në moshën 16 vjeçare, i përket akoma pediatrisë”, tregon Sabine.

Kur shkoi të takonte vajzën e saj në mesdite, Julie po ndihej në ankth. Ajo nuk mund të fliste lehtësisht sepse lodhej shumë shpejt: “Ndjej një dhimbje në zemër”, tha ajo.

Por rezultatet e testit të COVID-19 sollën lajme të mira: ato ishin negative.

“Menjëherë filluam të hapnim derën e dhomës, infermierët nuk visheshin më me masa mbrojtëse dhe doktori ngriti gishtin e tij të madh, për të më thënë se çdo gjë ishte në rregull”, tha Sabine. Julie dukej se e kishte hequr qafe skenarin më të keq.

Ishte vonë, Sabine shkoi në shtëpi në premtim se do ta takonte vajzën e saj ditën e nesërme.

Vonesa e rezultateve

Pak më vonë atë mbrëmje, ajo mori një telefonatë: rezultati i testit tjetër, të kryer në spitalin Longjumeau, sapo kishte mbërritur. Julie ishte pozitive ndaj COVID-19 dhe gjendja e saj po përkeqësohej, duhej me patjetër t’i vendosnin tuba.

“Nuk mund ta besonim. I thamë vetes se ata e kishin gabim. Dhe pse erdhën këto rezultate kaq vonë”, pyet akoma Sabine e habitur.

“Që prej fillimit, ne na thanë se virusi nuk i prek të rinjtë. Ne e besuam këtë, si të gjithë të tjerët”, thotë Manon, motra e madhe e Juliet.

Pas orës 00:30 një telefonatë tjetër: “Hajdeni shpejt”!

“Në atë moment më zuri paniku. Disa fjalë të bëjnë të kuptosh”, thotë mamaja e vajzës.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të shëndetësisë, Profesorit Jerome Salomon, i cili njoftoi ndarjen nga jeta të vajzës ditën e enjte, Julie ishte infektuar me një formë të ashpër të virusit, “jashtëzakonisht të rrallë” midis të rinjve.

“Çdo gjë duhet të digjet” 

“Trupi i saj kishte filluar të merrte një ngjyrë gri”, kujton mamaja.

Kur mbërriti në spital, të mërkurën rreth orës 01:00, së bashku me vajzën e saj të madhe, Julie kishte ndërruar jetë. Ajo i preku dorën, “lëkura e saj ishte akoma e ngrohtë”.

Motra vendosi duart në kokë, dhe më pas menjëherë u urdhëruan se nuk mund ta shikonin më. Protokollet në kohë epidemie janë shumë strikte.

Gjithashtu ishte tej mase e vështirë të mblidhnin gjërat e saj, pasi të gjitha duhet të digjeshin. Megjithatë, familja mundi të ruante byzylykun e pagëzimit.

Trupi i vajzës ndodhet në morgun e spitalin Necker, ku do të qëndrojë deri kur të varroset, pas disa ditësh. Si një masë parandaluese, ata nuk do të bëjnë një ceremoni dhe vetëm 10 persona do të lejohen të jenë të pranishëm në varreza.

“Duhet të zgjidhnim se cili nga të afërmit tanë do të ishte i pranishëm”, thotë Manon duke folur me Euronews. “Të njëjtën ditë që ajo ndërroi jetë, duhej gjithashtu të vendosnim për një arkivol”.

Arkivoli duhet të qëndrojë i mbyllur dhe Julie “nuk mund të ketë tualet në fytyrë ose të vishet me diçka. Nuk na lejohet t’i bëjmë këto”, shpjegon motra e madhe.

“E kemi shumë të vështirë ta pranojmë këtë që ndodhi”, thanë njëzëri mamaja dhe vajza e saj e madhe.

Sipas të dhënave të fundit, në spitalet franceze ka pasur 1,696 vdekje si pasojë e COVID-19 që prej fillimit të pandemisë. Afërsisht 30,000 raste janë të konfirmuara dhe 5,000 të shëruar.

Që prej të enjtes, mediat e kanë përsëritur vazhdimisht vdekjen e një vajze 16-vjeçare prej koronavirusit.

“Është e tmerrshme sepse e di që është e imja”, tregon mamaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat