Mijëra persona, përfshirë veterantë të vjetër të Luftës së Dytë Botërore, po e shikojnë për së afërmi paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores, të organizuar nga ushtria bjelloruse.
Pamjet e publikuara shfaqin njerëz në turmë të madhe, që nuk e respektojnë distancën sociale, pavarësisht situatës pandemike, shkruan “The Guardian”.
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenka, i refuzoi thirrjet për anulimin e paradës, duke e bërë vendin e tij të vetmin në ish-Bashkimin Sovjetik që e nxori ushtrinë në shesh me rastin e shënimit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Sidoqoftë, një gazetare bjelloruse është shprehur e shqetësuar nga grumbulli i madh i njerëzve në paradë. “Niveli i injorancës së autoriteteve është thjesht i frikshëm”, shkroi gazetarja Hanna Liubakova në llogarinë e saj në Twitter, ku gjithashtu i kishte publikuar dy fotografi të veteranëve të moshuar, që ishin ulur afër njëri-tjetrit.
Rusia dhe disa shtete të tjera të ish-BRSS-së i kanë anuluar paradat dhe shumë organizime do t’i zhvillojnë vetëm përmes internetit.