Covid-19/ Greqia, paketë financiare prej 33.4 mld euro nga Komisioni Evropian

Evropë

Covid-19/ Greqia, paketë financiare prej 33.4 mld euro nga Komisioni Evropian

Më: 28 maj 2020 Në ora: 11:26
Foto ilustrim

Greqia do të marrë një paketë financiare prej 43.5 mld euro në kuadër të planit që paraqiti Komisioni Evropian për Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Unionit prej 750 miliardë eurosh për rimëkëmbjen e ekonomive të vendeve anëtare pas goditjes nga pandemia e koronavirusit.

E thënë në shifra të sakta duke hequr pjesën prej 10,1 mld euro me të cilën kontribuon Greqia në këtë fond, Athina do të marrë një shumë të pastër prej 33,4 mld euro, 22.5 prej të cilave në formën e financimeve dhe 9.4 në formën e kredive të buta.

Konkretisht, shuma neto prej 33.4 miliardë përbën 17.8% të PBB-së të vendit, ndërsa vetëm për Kroacinë dhe Bullgarinë propozohet të kenë një fitim neto më të lartë si përqindje e PBB-së së tyre (22.4% dhe 19.3%, përkatësisht). Përqindja më e madhe e Fondit të Rimëkëmbjes është propozuar të merret nga dy vende të tjera mesdhetare, Italia (20.4%) dhe Spanja (19.9%),kurse Greqia vjen në vendin e gjashtë nga 27 vendet anetare. Sipas propozimit të Komisionit, 93.5% e shumës totale të Fondit të Rimëkëmbjes pritet të përdoret për investime publike, kryesisht përmes granteve, por edhe me një sasi të konsiderueshme kredish për shtetet anëtare. Kurse pjesa tjeter prej 6.5% pritet të përdoret si kolateral për financimin e investimeve private nga EFSI dhe InvestEU. Këto garanci do të lejojnë mobilizimin e një vëllimi te dukshëm më të madh të fondeve.

Ky financim i Komisionit Evropian që ka shkaktuar lehtësim dhe buzëqeshje në Athinë vlerësohet se do të ndihmojë jashtëzakonisht Greqinë në këtë periudhë të vështirë ekonomike, pasi parashikimet për tkurrjen e ekonomisë së saj shkojnë nga 4.5 deri në 9.4% , që është edhe shifra më e lartë në BE.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Athina do ta përdorë kete pakete kolosale për të nxitur rifillimin dinamik të ekonomisë për të mirën e të gjithë grekëve. “Me maturi dhe përgjegjësi, ne nuk do ta shpenzojmë, por do ta investojmë atë për të transformuar Greqinë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat