Qeveria gjermane e pret me shumë gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës

Evropë

Qeveria gjermane e pret me shumë gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Gjermania pret vazhdimin e agjendës se qeverisë së mëparshme për konsolidimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria gjermane e pret me shumë gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Këtë e tha të premten në Berlin, zv/zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë, Christoph Burger, në konferencën e rregullt të shtypit të qeverisë gjermane, në përgjigje të një pyetjeje që i bëri Deutsche Welle.

Burger tha se “është e rëndësishme që agjenda ambicoze e qeverisë së mëparshme për shtetin ligjor dhe sidomos për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të vijojë në mënyrë konsekuente.”

Burger tha se  Gjermania do ta mbështesë edhe më tej përpjekjen për fillimin sa më të shpejt të  dialogut Serbi-Kosovë nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE-së, Lajcak. Afrimi i suksesshem i Kosovës dhe Serbisë me BE-në mund të arrihet vetëm në se është arritur një ekuilibër afatgjatë mes dy vendeve, tha Burger.

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar më parë se do t’i hiqte të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të bazohet në njohjen reciproke”.

Gjermania do të marrë në dorë më 1 korrik presidencën e radhës së BE-së, ku në fokus do të ketë edhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Dy javë më parë, ministri gjerman i Punëve të Jashtme dhe homologu i tij francez publikuan një artikull të përbashkët në shtypin e Kosovës dhe Serbisë për të inkurajuar kështu dy vendet që të mbështesin dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat