Njeriu që la Suedinë të përballej me koronavirusin: Nuk jam penduar, strategjia ka funksionuar - Bota Sot
Njeriu që la Suedinë të përballej me koronavirusin: Nuk jam penduar, strategjia ka funksionuar

Evropë

Njeriu që la Suedinë të përballej me koronavirusin: Nuk jam penduar, strategjia ka funksionuar

Më: 8 qershor 2020 Në ora: 19:04
Anders Tegnell

Njeriu që vendosi strategjinë e Suedisë në përballjen me koronavirusin thotë se media e ka keqinterpretuar. Kryeepidemiologu Anders Tegnell është shprehur në një intervistë së fundmi se përgjigjja më e mirë ndaj koronavirusit do të ishte “diçka midis asaj që ka bërë Suedia dhe asaj që ka bërë pjesa tjetër e botës”.

Ai thotë tani se “intervista është montuar keq dhe është reklamuar gjithashtu keq”.

Intervista në fjalë është dhënë për Radion Suedeze.

Suedia është një nga pak vendet që zgjodhën të mos aplikonin masa kufizuese për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Media të shumta e komentuan intervistën e Tegnell në radio si një kapitullim për politikat e izolimit – një pretendim që tani ai e mohon me vendosmëri.

Epidemiologu këmbëngul se ende nuk janë parë përfitime “të dukshme” nga mbyllja e bizneseve, restoranteve dhe ambienteve të tjera në përpjekje për t’u mbrojtur nga virusi.

“Nuk ka aktivitete që ne mund t’i cilësojmë si jashtëzakonisht të rrezikuara”, i tha ai Dagens Nyheter të Suedisë, duke shtuar se “strategjia themelore e vendit ka funksionuar mirë”.

Tegnell ka pranuar që Suedia duhet të kishte bërë më shumë për të mbrojtur si duhet azilet nga virusi – ku është regjistruar një përqindje e madhe e numrit të viktimave. Megjithatë, ky nuk është një fenomen i izoluar vetëm në Suedi. Besohet se 40 përqind e vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur në azile. Në Angli, të moshuarit në këto institucione të kujdesit mendohet të arrijnë 57 për qind të të gjitha vdekjeve deri në fund të qershorit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat