Mbi 34 mijë të vdekur në Itali, prokuroria merr 3 orë në pyetje kryeministrin

Evropë

Mbi 34 mijë të vdekur në Itali, prokuroria merr 3 orë në pyetje kryeministrin

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 22:37
Giuseppe Conte

Në Itali, drejtësia po zhvillon hetime ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimint të emergjencës shëndetësore. Për tre orë rresht, prokuroria e Bergamos ka marrë në pyetje kryeministrin, Giuseppe Conte, lidhur me mospërcaktimin si zona të kuqe të Nembros dhe Alzano Lombardos.

Prokurorët dëshirojnë të kuptojnë nëse i takonte qeverisë apo rajoneve shpallja e zonave të kuqe dhe nëse ka përgjegjësi penale për këtë.

Conte tha pas marrjes në pyetje se informoi prokurorët në detaje dhe se ka vepruar gjithmonë bazuar në këshillat e shkencëtarëve dhe ekspertëve të fushës si dhe me ndërgjegje.

Përfshirja e Conte në hetime erdhi pasi një grup qytetarësh u ankuan për vdekjen e të afërmve të tyre për mënyrën sesi qeveria menaxhoi pandeminë e COVID-19. Një grup që përfaqëson të afërmit e njerëzve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Bergamo, – një nga vendet më të goditura nga virusi në Itali, – i kërkoi prokurorëve për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale në menaxhimin e pandemisë.

Avokati i këtij grupi tha se, rreth 40 kërkesa janë parashtruar mbi mënyrën e trajtimit të virusit në Lombardi, rajoni verior i cili përfshin edhe Bergamon dhe ku ka pasur numrin më të lartë të viktimave.

Qëllimi i këtij hapi është të identifikohen ata që janë përgjegjës për administrimin e situatës dhe të përcaktohet nëse mund të ngrihen kallëzime penale, thanë avokatët, duke shtuar se sapo ekipet juridike të kishin kohë për të përgatitur çështjen dhe një valë e padive civile mund të shpërthej në shtator.

Autoritetet rajonale në Lombardi janë përballur me kritika të shumta pasi dështuan të ngrenë shpejt “zona të kuqe”, të izoluara, ata janë kritikuar dhe për lënien  hapur të një spitali të madh që u bë  qendër e infeksionit në fillim të krizës.

Në pyetje nga prokurorët do të merren edhe të tjerë ministra të qeverisë “Conte”.

Rritet numri i të infektuarve me Covid-19 në Itali

Në 24 orët e fundit u raportuan 393 raste të reja, pak më shumë se një ditë më parë. Rajoni i Lombardisë vijon të jetë më shqetësuesi, pasi mbi 70% e të infektuarve të rinj u regjistruan aty. Mbrojtja Civile bëri me dije se në 24 orët e fundit humbën jetën dhe 56 pacientë.

Autoritetet shëndetësore nuk përjashtojnë mundësinë e një vale të dytë infeksioni nga Covid-19, por theksojnë se janë të gatshëm ta përballojnë. Pavarësisht këtij rreziku, Italia do të vazhdojë me planin e saj për rihapjen graduale të ekonomisë së vendit.

Në fazën e tretë do të kthehen në aktivitet kinematë, duke filluar nga 15 qershori, por me norma të rrepta sigurie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat