Franca heq kufizimet, Macron: Kjo verë, si asnjë tjetër!

Evropë

Franca heq kufizimet, Macron: Kjo verë, si asnjë tjetër!

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 12:47
Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar se një numër kufizimesh të koronavirusit do të hiqen. Kafenetë dhe restorantet po rihapen në Francë dhe udhëtimi për në vendet e tjera evropiane do të lejohet po ashtu.

Njerëzit po ashtu do të mund të vizitojnë pjesëtarët e familjes në shtëpitë e kujdesit që janë goditur veçanërisht rëndë nga pandemia. Gjermania, Belgjika, Kroacia dhe Zvicra, rihapën po ashtu plotësisht kufijtë me vendet e BE ditën e sotme. Udhëtarët nga Britania e Madhe do të mund ti vizitojnë këto vende pa karantinë apo kufizime në mbërritje.

Sidoqoftë, ata që udhëtojnë në Francë nga Britania apo Spanja përballen me një periudhë izolimi dy javore në mbërritje. Përmes një fjalimi në televizion, Macron ka thënë se Franca ka arritur “fitoren e parë”, mirëpo ka paralajmëruar për kthim të mundshëm të virusit.

“Prej nesër, ne do të jemi të gatshëm të nisin një kapitull të ri në territorin tonë. Kjo nuk do të thotë se virusi është larguar dhe ne nuk duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Vera e 2020-ës do të jetë si asnjë tjetër dhe neve do të na duhet të vëzhgojmë zhvillimin e pandemisë, në mënyrë që të jemi të përgatitur me fuqi të reja, në rast se virusi kthehet sërish”.

Macron ka konfirmuar se nga dita e hënë do të hapet edhe gjithë rajoni i Parisit, i cili ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus. Presidenti francez ka njoftuar se edhe shkollat do të rihapen nga 22 qershori, përveç për nxënësit e shkollave të mesme. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, më shumë se 29,400 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi, derisa autoritetet franceze kanë regjistruar 194,000 raste të infektimit.

Komisioni Evropian ka inkurajuar heqjen e të gjitha kufizimeve në kufijtë e brendshëm të BE nga e hëna, por vetëm një numër i vogël vendesh kanë thënë se do të rihapen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat