Rusia mban paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore

Evropë

Rusia mban paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 08:45
Ilustrim

Rusia shënon sot Ditën e Fitores me një paradë ushtarake, e cila është dashur të mbahet më 9 maj, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sivjet janë bërë saktësisht 75 vjet prejse Bashkimi i atëhershëm Sovjetik ka mposhtur Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Izolimi në Moskë, për shkak të koronavirusit, është lehtësuar këtë muaj, duke i hapur rrugë edhe organizimit të paradës, ku pritet të shfaqen tanke dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Për presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ngjarje është veçanërisht e rëndësishme këtë vit, pasi mbahet para referendumit të 1 korrikut mbi ndryshimet kushtetuese, që do t’i mundësonin atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2036.

Edhe ky referendum ka qenë i planifikuar për 22 prill, por është shtyrë për shkak të pandemisë.

Rusia ka konfirmuar mbi 600,000 raste me koronavirus dhe mbi 8,000 viktima, edhe pse këto shifra besohet të jenë shumë më të larta.

Organizatorët e paradës kanë marrë parasysh rreziqet nga virusi.

Veteranët rusë të Luftës së Dytë Botërore, që do të shikojnë paradën, do të vendosen në një vend të veçantë dhe larg njëri-tjetrit.

Ushtarët që marrin pjesë në paradë janë vendosur në karantinë gjatë provave dhe janë testuar.

Ndërkaq, shumë udhëheqës të huaj do të qëndrojnë larg.

Presidenti i Francës, i Çekisë, i Kroacisë dhe i Kinës kanë thënë më herët se planifikojnë të ndjekin paradën, por i kanë anuluar udhëtimet pasi ajo është shtyrë për 24 qershor.

Presidenti i Bjellorusisë, i Kazakistanit, i Kirgizisë, i Moldavisë, i Serbisë, i Taxhikistanit dhe i Uzbekistanit pritet të jenë të pranishëm në paradë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat