Francë, kamp proteste për refugjatët

Evropë

Francë, kamp proteste për refugjatët

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 15:35
Foto

Mjekët pa kufij dhe katër grupe të tjera humanitare në Francë instaluan të martën një kamp për emigrantët në kryeqytetin e vendit për të risjellë në vëmendjen publike rreziqet që ata hasin.

100 adoleshentë të shtruar gjatë natës në një nga parqet e Sheshit të Republikës në Paris i bënë me dije autoriteteve politike sfidën e të qenit të pashtëpi dhe refugjatë në vend të huaj.

Shumë persona që kanë ardhur në Francë nga Afrika e Veriut, nga Lindja e Mesme dhe Azia për t'i shpëtuar luftërave dhe varfërisë, prej vitesh vijojnë të zhvendosen ilegalisht në kryeqytet.

Që në 2016-ën, pas mbylljes me vendim qeverie të kampit të mbipopulluar të njohur si xhungla e Kaleit, përpjekjet vullnetare për të ngritur vende të tjera të përkohshme strehimi janë zmbrapsur nga autoritetet.

Në kampin e ri të Parisit, Muhamedi, një emigrant 16-vjeçar, tregon se ndodhet në Francë që prej dhjetorit të kaluar, por jeta ka qenë e vështirë.

"Personalisht nuk më ka ecur asgjë që kur mbërrita në Francë. Fle jashtë dhe ndonjëherë lihem në një cep, sulmohem nga tjerët. Tani jemi në kopsht publik dhe meqenëse nuk ka më vende për të pastrehët, do më duhet të rri këtu."

Një përfaqësuese e organizatës ndërkombëtare humanitare, Mjekët pa Kufij, thotë se kërkesat për azil të emigrantëve të mitur shpeshherë marrin deri 1 vit e gjysmë kohë për t'u vlerësuar nga gjykata.

Gjatë kësaj periudhe, azilkërkuesit e rinj detyrohen të jetojnë rrugëve, pa kujdesin e autoriteteve.

"Sot po përpiqemi ta bëjmë këtë popullatë të padukshme, më të dukshme. Statusi tyre është i veçantë sepse nuk njihen si të rritur, as si minorenë. Ata janë në rrezik duke ditur historikun e emigrimit, por edhe më shumë pasi nga rruga mund të bien pre e rrjeteve të drogës."

Shumë prej refugjatëve që janë vendosur në Paris në vitet e fundit shpresojnë të përfitojnë të drejtën e azilit, ndërsa për shumë të tjerë, qëllim mbetet largimi drejt Britanisë së Madhe.

Qeveria franceze ka rritur numrin e strehëve për azilkërkuesit, por edhe operacionet e riatdhesimit për personat të cilëve u është refuzuar azili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat