Situata me pandeminë në Europë, frikë për një valë të dytë

Evropë

Situata me pandeminë në Europë, frikë për një valë të dytë

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 16:12
Ilustrim

Frika për një shpërthim të ri të pandemisë ka përfshirë Europën. Edhe në vendet që ja kanë dalë të sheshojnë kurbën  e infektimit, po identifikohen vatra të reja, që po alarmojnë autoritetet. Në Francë po hetohen 68 të tilla, ndërsa shtohen thirrjet për respektim të distancës sociale. 

Autoritetet përkufizojnë si vatra shfaqjen e të paktën tre rasteve me koronavirus në një periudhë 7-ditore, të cilat i përkasin të njëjtit komunitetet apo që kanë marrë pjesë në të njëjtin grumbullim njerëzish.

Gjysma veriore e vendit, dhe territoret përtej detit vazhdojnë të jenë më të prekurat. Në qytetin veri-perëndimor të Mayenne, 6  vatra të reja janë identifikuar në javët e fundit me numrin e rasteve të konfirmuara që është katërfishuar nga 54 në 2019 gjatë 25 qershorit dhe 6 korrikut.

Për të përballuar situatën të gjithë banorëve mbi moshën 10-vjeçare u është kërkuar të testohen. Vatra janë identifikuar edhe në Laval, Craon, Montargis e Bordo. Në qytetin e dytë më të madh në vend, Lion, 450 nxënësve dhe stafit të një shkollë iu kërkua të vetë-izolohen pas shfaqjes së 6 rasteve të reja.

Rastet e konfirmuara me Covid-19 në Francë në 24 orët e fundit ishin 663, ndërsa viktimat 34. Por ndërsa e pranon se mundësia e një vale të dytë është reale, qeveria francezë përjashtoi një tjetër izolim mbarëkombëtar, që siç tha do  të fundoste ekonominë.

Në Katalonja të Spanjës, mbajtja e maskës u bë e detyrueshme në publik, për këdo mbi moshën 6 vjeçare, madje edhe kur distanca sociale është e mundur. Vendimi merret mes rritjes së rasteve në qytetin e Lleida-s, ku autoritet mund të rikthejnë masa strikte.

Shqetësim ka edhe në rajonin italian të Venetos, ku janë identifikuar disa vatra të reja. Megjithatë në Itali situata vazhdon pozitive, dhe për herë të parë pas 137 ditësh, në terapinë intensive të një prej spitaleve më të prekura në qytetin e Bergamos, nuk ka asnjë pacient me koronavirus.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat