Gazetat indiane që janë gjetur në Alpet franceze mund të jenë nga aeroplani i rrëzuar në vitin 1966

Evropë

Gazetat indiane që janë gjetur në Alpet franceze mund të jenë nga aeroplani i rrëzuar në vitin 1966

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 16:25
Foto Ilustrim

Gazetat indiane nga viti 1966 kanë dalë në sipërfaqe në Alpet Franceze, nën akullin e një akullnaje të shkrirë në Mont Blanc.

Dhe sipas BBC, ato besohet se janë nga një aeroplan i Air India që u rrëzua më 24 janar të vitit 1966, duke vrarë të gjithë 117 njerëz në bord.

Në faqet e para raportohen zgjedhjet historike të Indira Gandhi, kryeministrja e parë i Indisë – dhe deri më sot, e vetmja femër.

Rreth një duzinë gazetash, përfshirë National Herald dhe The Times, u gjetën nga një pronar lokal i restorantit.

Timothee Mottin, restoranti i të cilit është afër zonës së vendpushimit të skive Chamonix, i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Ato po thahen tani, por ato janë në gjendje shumë të mirë. Ju mund t’i lexoni ato”.

Pasi të jenë tharë, tha ai, ato do të shfaqen në restorantin e tij, si pjesë e një koleksioni sendesh nga rrëzimi që ai gjeti me kalimin e kohës.

Ndryshe, po sipas BBC, relikti më i vlefshëm nga rrëzimi u gjet në vitin 2013 – një kuti me gurë të çmuar duke përfshirë smerald, safirë dhe rubin që u vlerësua se vlente midis 130,000 euro dhe 246,000 euro.

Rritja e temperaturave globale po bën që akullnajat malore të shkrihen dhe “fletët e akullit polar të tërhiqen”.

Fluturimi 101 i Air India ishte duke fluturuar nga Mumbai – i njohur atëherë si Bombay – për në Londër kur u rrëzua pranë majës së Mont Blanc më 24 janar të vitit 1966.

Fluturimi kishte bërë dy ndalesa të planifikuara në Delhi dhe Beirut, Liban, dhe ishte në rrugën e tij për në një tjetër ndalesë në Gjenevë, Zvicër.

Sidoqoftë, gjatë zbritjes në Gjenevë avioni u përplas me malin, duke vrarë të gjithë 106 pasagjerët dhe 11 anëtarët e ekuipazhit në bord. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat