Berlini: Kërcënim real një valë e dytë e COVID-19

Evropë

Berlini: Kërcënim real një valë e dytë e COVID-19

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 20:29
Foto ilustrim

Kërcënimi për një valë të dytë infektimesh me COVID-19 është real, paralajmëroi sot ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn duke u kërkuar bashkëatdhetarëve të tij, me pushime në Ishujt Baleare, që të respektojnë distancimin fizik.

Jens Spahn në veçanti shprehu shqetësimin e tij për situatën në ishullin spanjoll të Majorkas, arkipelagu kryesor i Baleareve, një vend pushimesh veçanërisht i frekuentuar nga gjermanët, deri në pikën që ata e quajnë “rajoni i 17-të” i vendit të tyre, i cili ka 16 Lande.

Gjermanët përbëjnë 27% të pushuesve në Baleares, një arkipelag ku turizmi përbën 35% të PBB-së, raporton ATSH.

“Imazhet që kemi parë këtë fundjavë në ishullin e preferuar të gjermanëve, Majorka, më shqetësojnë”, deklaroi Spahn në një konferencë shtypi, të organizuar me Institutin Robert Koch.

“Ne duhet të bëjmë shumë kujdes që ishujt Baleares të mos kthehen në një Ischgl të dytë, një stacion skish austriak, që u kthye këtë dimër në një vatër kryesore europiane të kontaminimit me COVID-19”, theksoi ministri.

Disa video kanë treguar dhjetëra turistë gjermanë apo britanikë, shpesh të dehur, duke bërë festa të zhurmshme në rrugët e Majorkas, pa mbajtur maska dhe pa respektuar distancën fizike.

“Kërcënimi për një valë të dytë është real”, theksoi Spahn, i cili i trembet një rritjeje tjetër të rasteve me COVID-19 në Gjermani me rikthimin e turistëve nga pushimet në Europë.

Gjermania numëronte sot 198 963 raste me COVID-19 pas 159 rasteve të regjistruara në 24 orët e fundit dhe 9 064 të vdekur pas një viktime të regjistruar në 24 orët e fundit”, sipas Institutit Robert Koch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat