Britania ndërpret publikimin e shifrës së viktimave të virusit, dyshohet për gabime

Evropë

Britania ndërpret publikimin e shifrës së viktimave të virusit, dyshohet për gabime

Më: 18 korrik 2020 Në ora: 14:35
Britania

Autoritetet britanike kanë njoftuar të shtunën se e kanë ndërprerë publikimin e të dhënave ditore për viktimat e koronavirusit pasi qeveria dha urdhër për rishikim të llogaritjeve për shkak të dyshimeve se shifra zyrtare mund të jetë ekzagjeruar.

Akademikët kanë thënë se mënyra se si organet shëndetësore në Angli e llogarisin shifrën e viktimave ka bërë që gjendja të duket më e rëndë sesa në shtetet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, shkruan “Reuters”.

Ministri britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, ka dhënë urgjër për rishikim urgjent të statistikave ditore për rastet fatale, të publikuara nga organet në Angli pasi dyshohet se në to mund të jenë përfshirë persona të shëruar që mund të kenë vdekur për shkaqe të tjera.

Një burim i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tha: “Keni mundur të dilni pozitiv në test në shkurt, të mos keni simptoma, pastaj të goditeni nga një autobus në korrik dhe të jeni regjistruar si i vdekur nga Covid.”

Sidoqoftë, kjo qasje nuk është duke u përdorur në Skoci, ku vendi nuk ka regjistruar asnjë viktimë të koronavirusit për një javë. Në këtë shtet, një pacient që është diagnostikuar me koronavirus para 28 ditësh nuk llogaritet automatikisht si i vdekur nga koronavirusi. Të njëjtin model e përdor edhe Irlanda Veriore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat