Tensione në samitin e BE-së, kryeministri bullgar e quan homologun holandez “polic i Evropës”

Evropë

Tensione në samitin e BE-së, kryeministri bullgar e quan homologun holandez “polic i Evropës”

Më: 18 korrik 2020 Në ora: 16:23
Bashkimi Evropian

Atmosfera në samitin e Bashkimit Evropian mbrëmjen e kaluar raportohet të ketë qenë mjaft e zymtë për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me pakon ndihmëse për rimëkëmbje ekonomike.

Kështu të paktën deklaroi kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili tha para gazetarëve se është ndier i vetmuar përballë liderëve të tjerë, të cilët ishin më të gatshëm për marrëveshje, shkruan “BBC”.

Çështja kryesore është plani për grumbullimin e 500 miliardë eurove, të cilat më pas do të dhurohen si grante për shtetet që janë prekur më së shumti nga sëmundja Covid-19, siç janë Italia dhe Spanja.

Holanda po kërkon kushte të rrepta për këto grante, përfshirë të drejtën e një shteti për të vendosur veto ndaj ndonjë kërkese të ndonjë vendi tjetër.

Raportohet se kryeministri bullgar, Borissov, e ka quajtur homologun e tij holandez “polic i Evropës”.

BE-ja do ta ketë një plan të ri në tavolinë këtë pasdite, kur do të diskutohet për zvogëlimin e fondit në 450 miliardë euro dhe shtetet do të kenë mundësi t’i paraqesin ankesat e tyre, por duke e përjashtuar veton.

Holanda e ka cilësuar këtë ndryshim si hap serioz në drejtimin e duhur.

Disa shtete, përfshirë Austrinë, më parë kanë kërkuar që fondet e BE-së të mos dhurohen si grante, por vetëm si hua. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjithashtu ka bërë thirrje që të ndihmohen më shumë vendet më të varfra të BE-së, e jo Spanja me Italinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat