Çekia shënon rekord të rasteve aktive me koronavirus

Evropë

Çekia shënon rekord të rasteve aktive me koronavirus

Më: 19 korrik 2020 Në ora: 10:59
Çekia

Numri i rasteve aktive me koronavirus në Çeki ka shkuar në 4,764, më shumë se rekordi i kaluar, i shënuar në muajin prill, kur ishin regjistruar 4,737 raste aktive. Kështu njoftoi Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti.

Të shtunën u regjistruan 113 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i personave të prekur nga virusi i ri në vendin e Evropës Qendrore shkoi në 13,885.

Shteti me 10.7 milionë banorë deri më tani i ka regjistruar 358 viktima, që është shifër shumë më e vogël në krahasim me shumë vende të tjera evropiane, shkruan “The Guardian”.

Rritja e numrit të rasteve aktive erdhi pasi që disa ditë me radhë u regjistruan mbi 100 raste në ditë, duke e kaluar numrin e personave të shëruar. Shumë prej personave të infektuar së voni kanë pasur simptoma më të lehta se ata që janë prekur në fazën e parë të përhapjes.

Që nga largimi i masave kufizuese, autoritetet janë zotuar se nuk do ta kthejnë izolimin në tërë vendin, por do të marrin masa vetëm në zonat ku ka përhapje lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat