Pas Borisovit, edhe Orbani fajëson kryeministrin holandez: S’di pse më urren mua dhe Hungarinë

Evropë

Pas Borisovit, edhe Orbani fajëson kryeministrin holandez: S’di pse më urren mua dhe Hungarinë

Më: 19 korrik 2020 Në ora: 14:42
Viktor Orban, Mark Rutte

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se homologu holandez, Mark Rutte, është përgjegjës për bllokadën e shkaktuar në samitin e Bashkimit Evropian, ku liderët janë mbledhur për të tretën ditë në përpjekje për miratimin e një pakoje ekonomike për dalje nga kriza e shkaktuar nga pandemia.

“Nuk e di cila është arsyeja personale e kryeministrin holandez për të më urryer mua apo Hungarinë, por ai është duke sulmuar shumë ashpër”, tha Orban para gazetarëve në Bruksel.

“Mua nuk më pëlqejnë lojërat e fajësimit, por holandezi është përgjegjësi i vërtetë për tërë rrëmujën. Kryeministri holandez, ai është luftëtari”, shtoi shefi i qeverisë hungareze.

Një grup i vendeve të pasura të BE-së, në mesin e të cilave është edhe Holanda, e kanë bllokuar përparimin në samitin e BE-së për pakon prej 750 miliardë eurove, duke kërkuar kontroll të rreptë për shpenzimin e parave nga shtetet anëtare.

Ndryshe, ditë më parë raportohet se kryeministri bullgar, Borissov, e ka quajtur homologun e tij holandez “polic i Evropës”.

Disa shtete, përfshirë Austrinë, më parë kanë kërkuar që fondet e BE-së të mos dhurohen si grante, por vetëm si hua. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjithashtu ka bërë thirrje që të ndihmohen më shumë vendet më të varfra të BE-së, e jo Spanja me Italinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat