Keqmenaxhimi i COVID-19 në Serbi, mjekët kërkojnë hetim për ata që besohet se shkaktuan valën e re

Evropë

Keqmenaxhimi i COVID-19 në Serbi, mjekët kërkojnë hetim për ata që besohet se shkaktuan valën e re

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 08:56
Serbi

Me qindra mjekë kanë dhënë alarmin në Serbi për situatën e krijuar nga COVID-19.

Duke e etiketuar situatën si "fatkeqësi shëndetësore", ata kanë bërë thirrje që qeveria të heqë njësinë e saj të menaxhimit të COVID-19.

Grupi prej 350 mjekësh kanë dërguar një letër të hapur duke kërkuar hetim për vendimet që ata besojnë se shkaktuan valën e re të pandemisë.

“Braktisja totale e masave për të luftuar epideminë në periudhën parazgjedhore (mitingje, ndeshje sportive, turne, festime) shkaktoi humbjen e kontrollit të situatës epidemiologjike dhe nuk mund të justifikohet me arsye profesionale,” – shkruhet në letrën e mjekëve.

Rastet e reja me COVID-19 në Serbi  nisën të shtohen pas 21 qershorit, kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme të fituara nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiç.

Serbia nisi izolimin e rreptë në fillim të marsit por lehtësoi kufizimet gjatë muajit maj përballë pakënaqësisë së qytetarëve për izolimin pavarësisht paralajmërimeve nga mjekët se ishte shumë herët. Vuçiç, njoftoi për rivendosjen e masave kufizuese gjatë muajit korrik për të cilat më vonë u tërhoq pasi vendimi ngjalli protesta të dhunshme në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, në shtetin me 7 milionë banorë 491 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Nga gjysmë milioni testesh janë diagnostikuar 21,600 raste pozitive, por kritikët e qeverisë e kanë akuzuar atë se ka fshehur shifrat e vërteta.

Dyshime të ngjashme u shfaqën edhe në javën e parë të qershorit kur autoritetet raportuan mbi 4000 persona të shëruar brenda vetëm 72 orësh.

Sistemi shëndetësor serb po vuan nga një eksod masiv, pasi punonjësit e shëndetësisë janë larguar drejt Gjermaninsë. Sipas portalit të informacionit ekonomik “Novaekonomija.rs”, mungojnë 3.500 mjekë dhe 8,000 infermierë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat