Rusia akuzohet për gjuajtje të ‘armëve’ nga sateliti që mund të ‘kërcënojnë paqen në hapësirë’

Evropë

Rusia akuzohet për gjuajtje të ‘armëve’ nga sateliti që mund të ‘kërcënojnë paqen në hapësirë’

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 20:40
Foto ilustrim

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kanë akuzuar Rusinë për nisjen e “një predhe të ngjashme me armë” nga një satelit në hapësirë.

Sipas medieve të huaja, në një deklaratë, kreu i drejtorisë hapësinore në Mbretërinë e Bashkuar tha: “Ne jemi të shqetësuar nga mënyra me të cilën Rusia testoi një nga satelitët e saj duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme”.

Deklarata tha se veprime si kjo “kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës”.

Dhe siç shkruan BBC, SHBA më parë ka ngritur shqetësime për këtë satelit rus.

Në deklaratën e tij, zv. Marshalli Harvey Smyth, kreu i drejtorisë hapësinore në Mbretërinë e Bashkuar, tha: “Veprime si kjo kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës dhe rrezikojnë të shkaktojnë mbeturina që mund të përbëjnë një kërcënim për satelitët dhe sistemet hapësinore nga të cilat varet bota”.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të shmangë çdo testim të mëtejshëm. Ne gjithashtu i kërkojmë Rusisë të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë për të inkurajuar sjelljen e përgjegjshme në hapësirë”.

Po sipas BBC, kjo nuk është hera e parë që Mbretëria e Bashkuar ka bërë akuza në lidhje me “testimin e armëve” ruse në hapësirë, thotë korrespodenti i mbrojtjes i BBC, Jonathan Beale, dhe vjen vetëm disa ditë pasi një hetim tha që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar “nënvlerësoi keq” kërcënimin e paraqitur nga Rusia.

Incidenti, siç vlerësohet më tej, do të shtojë shqetësimet për një garë të re të armëve në hapësirë, shtoi ai, duke thënë se kombet e tjera po hetojnë gjithashtu teknologji që mund të përdoren si armë në hapësirë.

SHBA tha që sistemi satelitor rus ishte i njëjti për të cilin ngritën shqetësimet në vitin 2018 dhe në fillim të këtij viti kur SHBA e akuzuan atë për manovrime afër një sateliti amerikan.

Për këtë incident të fundit, Gjeneral Jay Raymond, i cili kryeson komandën hapësinore amerikane, tha se kishte prova “se Rusia kreu një provë jo destruktive të një arme anti-satelitore me bazë hapësinore”.

Ai tha se Rusia “injektoi një objekt të ri në orbitë” nga një satelit.

Gjeneral Raymond shtoi: “Kjo është dëshmi e mëtutjeshme e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të zhvilluar dhe testuar sisteme të bazuara në hapësirë dhe [është] në përputhje me doktrinën ushtarake të botuar të Kremlinit për të përdorur armë që mbajnë në rrezik asetet e hapësirës amerikane dhe aleate”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat