Polonia do të tërhiqet nga traktati evropian kundër dhunës ndaj grave

Evropë

Polonia do të tërhiqet nga traktati evropian kundër dhunës ndaj grave

Më: 26 korrik 2020 Në ora: 10:47
Zbigniew Ziobro

Ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, ka thënë se vendi i tij do të tërhiqet nga traktati evropian për parandalimin e dhunës ndaj grave me arsyetimin se dokumenti i njohur si Konventa e Stambollit është i dëmshëm, sepse kërkon që në shkolla të mësohet për gjininë.

Ky ministër tha se reformat e bëra në vendin e Evropës Qendrore viteve të fundit tashmë ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për gratë, shkruan “BBC”.

Mijëra gra kanë protestuar kundër këtij vendimi në disa qytete në mbarë Poloninë.

Ministri Ziobro njoftoi se qeveria do ta fillojë zyrtarisht procesin e tërheqjes nga traktati të hënën. Ky dokument ishte ratifikuar në vitin 2015.

Sipas tij, konventa i shkel të drejtat e prinërve dhe përmban elemente të natyrës ideologjike.

Partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, dhe partnerët e koalicionit janë të lidhur ngushtë me Kishën Katolike dhe qeveria ka premtuar se do t’i promovojë vlerat tradicionale të familjes.

Presidenti polak, Andrzej Duda, i cili i fitoi zgjedhjet për mandatin e dytë gjatë këtij muaji, gjatë fushatës ka thënë se promovimi i të drejtave të komunitetit LGBT është ideologji më shkatërruese se komunizmi.

Njëra nga organizatoret e një proteste që u mbajt të premten në Varshavë kundër tërheqjes së Polonisë nga traktati, Marta Lempart, tha se qëllimi i këtij vendimi është që të legalizohet dhuna familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat