Dronë nënujorë/ Putin për marinën ruse: Do pajiset me armë bërthamore

Evropë

Dronë nënujorë/ Putin për marinën ruse: Do pajiset me armë bërthamore

Më: 27 korrik 2020 Në ora: 12:46
Putin

Presidenti rus Vladimir Putin tha të dielën se marina ruse do të jetë e armatosur me armë hipersonike bërthamore dhe dronë bërthamorë nënujorë, për të cilat ministria e mbrojtjes tha se ishin në fazën e tyre të fundit të testimit.

Putini, i cili thotë se nuk dëshiron një garë armësh, ka folur shpesh për një gjeneratë të re të armëve bërthamore ruse, për të cilat thotë se janë të paarritshme dhe mund të godasin pothuajse kudo në botë. Disa ekspertë perëndimorë kanë vënë në dyshim aftësinë e tyre. Armët, disa prej të cilave nuk janë dislokuar ende, përfshijnë dronin bërthamor nënujor Poseidon, të projektuar për tu transportuar nga nëndetëse, dhe raketa hipersonike Tsirkon (Zircon), e cila mund të vendoset në anije sipërfaqësore.

Kombinimi i shpejtësisë, manovrimit dhe lartësisë së raketave hipersonike, të afta për të udhëtuar me më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit, i bën ato të vështira për t’u ndjekur dhe përgjuar. Duke folur në Shën Petersburg në paradën vjetore të marinës që tregon anijet më të mira të Rusisë, nëndetëset bërthamore dhe aviacionin detar, Putini tha se aftësitë e marinës ruse po rriten dhe do të shtonin në arsenal edhe 40 anije të reja këtë vit.

Ai nuk specifikoi se kur do të merreshin armët e reja hipersonike, por sugjeroi se dita po afrohej. Putini vitin e kaluar kërcënoi të vendosë raketa hipersonike në anije dhe nëndetëse që mund të zënë pritë pranë ujërave territoriale të Shteteve të Bashkuara, nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin armë bërthamore me rreze të mesme veprimi në Evropë.

Uashingtoni nuk ka vendosur raketa të tilla në Evropë, por Moska është e shqetësuar se mund ta bëjë në gjë të tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat