Holanda habit vendet tjera evropiane, porosit qytetarët: Nuk është dëshmuar efikasiteti i maskave, nuk jeni të obliguar t’i bartni

Evropë

Holanda habit vendet tjera evropiane, porosit qytetarët: Nuk është dëshmuar efikasiteti i maskave, nuk jeni të obliguar t’i bartni

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 12:53
Foto

Qeveria holandeze ka bërë të ditur se nuk do t’i propozojë qytetarëve të bartin maska mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, duke theksuar se efikasiteti i tyre nuk është dëshmuar, shkruan Reuters.

Në vend të kësaj, qeveria do të kërkojë nga qytetarët të respektojnë më shumë masën tjetër – distancën sociale fizike, pasi që numri i të infektuarve me COVID-19 është në rritje në këtë vend, ka bërë të ditur ministrja holandeze e Shëndetësisë, Tamara van Ark.

“Shikuar nga perspektiva mjekësore nuk është dëshmuar efikasiteti i maskave, për këtë kabineti ka vendosur që të mos ketë ndonjë obligim sa i përket bartjes së maskave jomedicinale”, ka shtuar ministrja holandeze pas analizimit të raportit të Institutit të Shëndetit Publik.

Ky vend është në kundërshtim të plotë me vendet tjera evropiane, që e kanë bërë të obligueshme bartjen e maskave në hapësira të mbyllura por edhe në ato të hapura.

Kreu i Institutit Kombëtar për Shëndet në Holandë, Jaap van Dissel, ka deklaruar se disa studime tregojnë se maskat ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së virusit, por sipas tij nuk është diçka bindëse se do të ndihmojë epideminë aktuale që ka prekur Holandën.

Japp van Dissel gjithashtu theksoi se bartja e maskës në mënyrë jo të duhur si dhe mos respektimi i distancës sociale fizike, do të rriste rrezikun e përhapjes së virusit.

Kujtojmë që bartja e maskave në Holandë aktualisht aplikohet vetëm në transportin publik dhe aeroporte. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat