Bjellorusi: Rezultati zgjedhor “jashtë çdo realiteti”

Evropë

Bjellorusi: Rezultati zgjedhor “jashtë çdo realiteti”

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 09:50
Bjellorusi

Opozita në Bjellorusi e vë në dyshim fitoren e shpallur të pushtetmbajtësit, Aleksander Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Nga Minsku dhe qytete të tjera njoftohen mbajtje protestash.

„Besoj atë që shoh me sytë e mi dhe ajo që shoh, është se shumica qëndron pas nesh", deklaroi kandidatja e opozitës, Svetlana Tichanovskaja të dielën në mbrëmje pas bërjes publike të prognozave zgjedhore të televizionit shtetëror. Sipas këtyre rezultateve, Tichanovskaja arriti të marrë vetëm 6,8% të votave. Kurse fitues i qartë nga këto zgjedhje sipas televizionit shtetëror u shpall të dielën presidenti, Aleksander Lukashenko me 79,7% të votave. „Më e rëndësishmja është të mund të pranosh humbjen", deklaroi drejtuesja e Komisionit Zgjedhor, Lidija Jermoshina duke i drejtuar kështu kundërkandidates së Lukashenkos.

Të hënën në mëngjes u publikuan rezultatet zyrtare. Sipas tyre Lukashenko i ka fituar zgjedhjet me 80,2% të votave. Kurse kundërkandidatja Tichanovskaja arrin sipas publikimeve zyrtare vetëm 9,9% të votave. Tichanovskaja nuk e pranon rezultatin zyrtar.

Image

Atmosferë proteste

„Nuk mund të ketë pranim të një rezultati të tillë zgjedhor", theksoi përkundër kësaj, zëdhënësja e Tichanovskajas. Sipas saj „kjo është jashtë çdo realiteti". Edhe ekspertët i vlerësojnë shifrat shtetërore të publikuara për fitore me afër 80% të presidentit Lukashenko, si të shpikura, për shkak të krizës së rëndë ekonomike në vend dhe një atmosferë proteste kundër Lukashenkos të ndjeshme në të gjithë vendin.

Image
Svetlana Tichanovskaja

Në disa qytete ka pasur të dielën përplasje mes përkrahësve të opozitës dhe forcave të sigurisë. Mijëra vetë u mblodhën në sheshet kryesore për të protestuar kundër manipulimeve zgjedhore. Në rrjetet sociale janë publikuar video, që tregojnë, se si policiët qëllojnë demonstruesit. Për të shpërndarë protestuesit të dielën u përdorën edhe granata ndriçuese dhe gaz lotsjellës, raportuan korrespondentë të Deutsche Welles.

Raportohet për të lënduar. Sipas organizatave të aktivistëve për të drejtat e njeriut, 120 vetë janë ndaluar nga policia. Në orët e mëngjesit situata paraqitet e qetë. Por kundërshtarët e qeverisë kanë paralajmëruar, se do të dalin sërish në protesta.

Qeveri „e paaaftë"

„Një krizë e thellë, e paparë deri më tani po vjen", tha bashkëluftëtarja e kandidatës Tichanovskaja, Maria Kolesnikova një konferencë në shtyp në mbrëmje. Ajo e akuzoi qeverinë për manipulim zgjedhor. Kështu pjesëmarrja e votuesve në disa qendra zgjedhore ka arritur në më shumë se 100%, tha ajo. Kjo qeveri është e paaftë të qeverisë vendin. „Autoritetet duhet të pranojnë, që shumica qëndron në anën tjetër", tha Kolesnikova.

Image

Kandidatja Svetlana Tichanovskaja doli në skenën politike si kandidate për presidente, pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Sergej Tichanovski, një bloger i njohur, i cili u përjashtua nga zgjedhjet. Lukashenko 65 vjeçar e qeveris prej 26 vjetësh me dorë të hekur Bjellorusinë. Mandati i ri do të ishte mandati i gjashtë i tij në postin e presidentit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat