Kujdes, nëse dërgoni pemë në Zvicër mund të dënoheni mijëra franga - Bota Sot
Kujdes, nëse dërgoni pemë në Zvicër mund të dënoheni mijëra franga

Evropë

Kujdes, nëse dërgoni pemë në Zvicër mund të dënoheni mijëra franga

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Portokalle nga Egjipti, fiq nga Maroku ose ullinj nga Turqia: këto dhe ushqime tjera lokale janë kujtime të këndshme nga pushimet.

Por, duke filluar nga kjo verë, këshillohet për kujdes: “Jeni kthyer nga pushimet dhe në bagazh keni bimë, fruta ose lule nga atje? Raportoni në doganë sapo të hyni në vend në mënyrë që të mos paraqiten dëmtues dhe sëmundje të rrezikshme”.

Kështu ka shkruar në Facebook Zyra Federale për Bujqësi (FOAG), njofton “20minuten”.

Që nga fillimi i vitit kushdo që dëshiron të marrë me vete mallra të tilla nga një vend jo i BE në  Zvicër, ka nevojë për një certifikatë fitosanitare, transmeton albinfo.ch. Kjo vërteton që produktet bimore nuk janë të infektuara nga organizma të dëmshëm që konsiderohen veçanërisht të rrezikshëm në Zvicër”, shpjegon Jonathan Fisch, zëdhënës në Zyrën Federale për Bujqësi.

Sipas Administratës Doganore Federale, ndodh vazhdimisht, veçanërisht në Cyrih dhe Gjenevë, që të kthyerit nga pushimet, të sjellin bimë, fruta ose perime në Zvicër në mënyrë të paligjshme.

Certifikata duhet të sigurohet në vendin e prejardhjes së mallit

Certifikata e përmendur duhet të merret nga shërbimi fitosanitar kombëtar në vendin nga i cili kanë prejardhjen mallrat. Por problemi këtu është se në shumicën e vendeve ka vetëm një zyrë të tillë dhe kjo shpesh nuk punon në kohë pushimesh. Kështu që marrja e një rekomandimi mund të ju kushtojë shumë kohë por edhe para.

Problem sidomos në Cyrih dhe Gjenevë

Sipas Simon Erny, zëdhënësi i Administratës Federale të Doganave (EZV), ndodh mjaft shpesh që udhëtarët transportojnë me vete mallra që nuk lejohen të importohen në Zvicër, sipas përshkrimit të ligjit fitosanitar që ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2020.

“Kjo ndodh veçanërisht në aeroportet e Cyrihut dhe Gjenevës, ku mbërrijnë udhëtarët përmes fluturimeve ndërkontinentale nga vendet e treta”. Nëse frutat, perimet dhe lulet e prera importohen në sasi të vogla gjatë udhëtimit, të cilat sipas rregullave aktuale nuk lejohen të importohen, ato, sipas Erny, do të konfiskohen.

Kontrollet për të siguruar përputhjen me rregulloret e reja janë intensifikuar që nga fillimi i vitit, transmeton albinfo.ch. EZV aktualisht nuk është në gjendje të sigurojë ndonjë informacion në lidhje me numrin e proceseve eventuale të filluara ose të gjobave të lëshuara.

Inspektimi i mallrave dhe lëshimi i certifikatës po ashtu kërkon kohë dhe angazhim Mund të ndodhë që një kontroll vizual të jetë i mjaftueshëm, ndërsa në raste të tjera janë të nevojshme analiza shtesë laboratorike. “Është gjithashtu e mundur që produkti, meqë bëhet fjalë për produkt bujqësor, duhet të kontrollohet dhe të analizohet në fushë, gjatë prodhimit.”

Vetëm certifikata mund të kushtojë disa qindra franga

Ashtu siç ndryshon angazhimi për certifikatën në fjalë, ndryshojnë edhe kostot: “formulimi i një certifikate fitosanitare kushton midis pesëdhjetë dhe disa qindra franga”, thotë Fisch.

Kur ktheheni në Zvicër, ju duhet të kaloni nga “dalja e kuqe” për udhëtarët që kanë mallra për deklarim në doganë dhe të tregoni certifikatën dhe mallrat, përcjell albinfo.ch. “Zyrtari lokal i doganave do të fillojë hapat e nevojshëm.”

Ata që kanë harruar të marrin certifikatën në fjalë, kanë mundësi t’i dorëzojnë ato në doganë, pa pagesë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat