Tensionet me Greqinë, deklarohet ministri turk i mbrojtjes

Evropë

Tensionet me Greqinë, deklarohet ministri turk i mbrojtjes

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 16:48
Anija eksploruese turke Oruc Reis e shoqëruar nga luftanijet në Detin Mesdhe.

Turqia dëshiron zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë përmes dialogut, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.

Tensionet mes dy anëtarëve të NATO-s janë rritur qëkur Ankaraja filloi operacionet e kërkimit të naftës dhe gazit në një zonë të diskutueshme të Detit Mesdhe, të hënën.

Greqia thotë se anija eksploruese e Turqisë - Oruc Reis - po operon në mënyrë të paligjshme në ujërat që bien në sferën kontinentale të Greqisë, akuza të cilat Ankaraja i ka hedhur poshtë.

Anija turke shoqërohet nga disa anije luftarake. Edhe Greqia ka dërguar luftanijet e saj në rajon.

"Ne duam të arrijmë zgjidhje politike përmes mjeteve paqësore në përputhje me ligjet ndërkombëtare", i tha Akar, agjencisë Reuters.

Akar tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë "të drejtat dhe interesat" e saj në ujërat bregdetare.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias do të takohet të premten në Vjenë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të diskutuar situatën e fundit.

Të premten pritet të mbahet edhe një mbledhje urgjente online midis ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian të cilët do të diskutojnë për tensionet në rritje mes Greqisë dhe Turqisë.

Ankaraja është zemëruar nga një marrëveshje që Greqia nënshkroi me Egjiptin të enjten e kaluar, e cila përcakton kufijtë e tyre detarë dhe zonat ekskluzive ekonomike për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve.

Vitin e kaluar, Turqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë libiane të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli.

Marrëveshja Turqi-Libi shkaktoi zemërim në Greqi, Egjipt dhe Qipro, duke thënë se ajo cenonte të drejtat e tyre ekonomike në Mesdhe.

Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh.

Të dyja vendet kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat