Rusi, vazhdojnë protestat kundër arrestimit të ish-guvernatorit - Bota Sot
Rusi, vazhdojnë protestat kundër arrestimit të ish-guvernatorit

Evropë

Rusi, vazhdojnë protestat kundër arrestimit të ish-guvernatorit

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 22:02
Rusi

Turma të mëdha njerëzish dolën në rrugët e qytetit rus të Khabarovskut të shtunën si pjesë e protestave që shpërthyen pas arrestimit të ish-guvernatorit Sergey Furgal. Që nga arrestimi i tij më 9 korrik, banorët kanë demonstruar çdo ditë në qytet, me një pjesëmarrje në rritje të ndjeshme gjatë fundjavës.

"Nuk jam dakord me kursin që po ndjek qeveria. Kjo është një qeveri kriminale, ata plaçkisin qytetet dhe rajonet tona", thotë Elvira, një protestuese. "Jam kundër Moskës. E gjithë e keqja vjen nga Kremlini".

Guvernatori u arrestua nga oficerët federalë të zbatimit të ligjit nën akuza që kishin të bënin me disa vrasje në 2004 dhe 2005. Ai u dërgua në Moskë, ku do të qëndrojë në burg për dy muaj. Zoti Furgal, një anëtar i Partisë Nacionaliste Liberal-Demokratike i ka mohuar akuzat.

Protestuesit në qytetin rus pranë kufirit me Kinën, 6,100 kilometra në lindje të Moskës, besojnë se akuzat e ngritura ndaj tij janë të motivuara politikisht. Protestuesit në Khabarovsk gjithashtu shprehen mbështetje për opozitën në Bjellorusi, ku zyrtarët e administrimit të procesit zgjedhor shpallën Presidentin autoritar Aleksandër Lukashenko si fitues të zgjedhjeve të 9 gushtit. "Jemi shumë të shqetësuar për ata (banorët e Bjellorusisë)", thotë Oleg, një biznesmen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bjellorusisë njoftoi të hënën se pas llogaritjes së të gjithave votave zoti Lukashenko kishte fituar 80.23 për qind të votave dhe kandidatja kryesore e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya 9.9 për qind të tyre.

"Kurrë nuk kam qenë në Bjellorusi, thjesht e kuptoj që kemi një të kaluar të përbashkët historike, e cila na lidh", thotë Yelizaveta Lipatova, me profesion inxhiniere.

"Ndaj besoj se duhet të ndjekim njëri-tjetrin nga afër, ta mbështesim e të mos humbasim vëmendjen ndaj njëri-tjetrit. Mendoj se banorët e Bjellorusisë po bëjnë atë që duhet dhe ne mund të mësojmë shumë prej tyre".

Disa pjesëmarrës të tubimit nuk dhanë mbiemrat e tyre nga frika se mos arrestoheshin. Aleksei Vorsin, shefi i fushatës rajonale në Khabarovsk për udhëheqësin e opozitës ruse Alexei Navalny, u arrestua të shtunën pasi thirrjeve për grevë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat