Spanja shpall rregullat e reja anti-COVID për rihapjen e shkollave

Evropë

Spanja shpall rregullat e reja anti-COVID për rihapjen e shkollave

Më: 28 gusht 2020 Në ora: 00:55
Spanja

Spanja ka bërë të ditur planin për rihapjen e shkollave disa ditë para se të fillojë viti akademik, në të cilin përfshihet obligimi i nxënësve të moshave gjashtë e më lartë të mbajnë maska në klasa, ka njoftuar qeveria të enjten. 

Derisa Spanja ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në perëndim të Evropës, kjo ka dërguar në spekulime se plani për shkollat mund të shtyhet në zonat më të prekura.

Por, ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, ka thënë se shkollat mund të mbyllen vetëm nëse do të shfaqen raste të COVID-19 nëpër klasa të ndryshme, raporton Reuters.

Meqë Spanja doli nga izolimi në fund të korrikut, transmetimi i virusit është rikthyer shpejt. Nga të dhënat zyrtare është raportuar për 3594 raste të reja të mërkurën. Afër 29,000 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë.

E pyetur nëse prindërit kanë të drejtë të mbajnë fëmijët në shtëpi nëse nuk ndihen të sigurt, ministrja e Arsimit, Isabel Celaa, tha se shkollat janë vendi më i sigurt se çdo vend tjetër.

Përveç maskës, fëmijët janë të detyruar të mbajnë distancën prej 1.5 metra nga njëri-tjetri.

17 rajone të Spanjës kanë përgatitur planin e tyre të rikthimit në shkolla, të gjitha duke përfshirë mbajtjen e maskave, higjienën dhe përgjysmimin e numrit të nxënësve në klasa.

Deri më tash, në botë janë shënuar 24,215,678 të infektuar, me mbi 825,000 të vdekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat