Ndalohet nëna ukrainase që mbante beben në çantën e pazarit

Evropë

Ndalohet nëna ukrainase që mbante beben në çantën e pazarit

Më: 5 shtator 2020 Në ora: 17:04
Foto

Një nënë që mbante beben e saj një-javëshe në një çantë të thjeshtë dore është gjobitur nga policia në Ukrainë.

Gruaja 29 vjeçare që nuk është identifikuar publikisht, kishte shokuar kalimtarët teksa shëtiste dje në kryeqytetin Kiev. Ajo dëgjohej që i këndonte këngë ninulla, në dukje çantës së saj, çka solli alarm te anëtarët e publikut.

Një dëshmitare tha për mediat: “Gruaja sillej në mënyrë të çuditshme dhe unë nisa të shikoj, vetëm kur dëgjova më pas beben që qante, e kuptova se zhurma vinte nga çanta e saj. Iu afrova dhe i kërkova të shikoj në çantë. Ajo refuzoi dhe u largua me nxitim, prandaj raportova gjithçka te policia”.

Në pamjet e filmuara nga kalimtarët shihen oficerët e policisë që e ndalojnë gruan, dhe më pas nxjerrin beben nga çanta e saj. Ndërsa nëna dëgjohet që thotë: “Lëreni beben, është në rregull, nuk ka problem”.

Por në sfond dëgjohen kalimtarët që shprehin shqetësim për mirëqenien e fëmijës.
Një grua thotë: “Ai nuk merr dot frymë aty”.

Ndërsa një tjetër grua komenton: “Fëmijën e ke veshur me xhup, ai është bërë ujë në djersë”.

Në momentin e incidentit temperatura ishte 30С prandaj oficerët morën beben në makinë dhe thirrën ambulancën. Mediat thonin se bebja është tashmë nën kujdesin e mjekëve.

Oficeri i policisë Maksim Kravchuk tha: “Ne kontrolluam në çantën e gruas dhe pamë brenda të sapolindurin. E vendosëm atë në makinë dhe pritëm për ardhjen e ambulancës. Nëna po sillej në mënyrë agresive ndaj nesh”.

Duke shpjeguar veprimet e saj për oficerët e policisë nëna tha se e kishte vendosur beben në çantë sepse nuk kishte një karrocë.

Gruaja tha se ka gjashtë fëmijë dhe se ka ardhur kohët e fundit në kryeqytetin Kiev nga Odessa dhe shpreson të gjejë një punë.

Policia tha se gruaja u gjobit për neglizhim të detyrave prindërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat