Maas: Shpjegime nga Moska për Navalnyn, përndryshe BE do të diskutojë për sanksione

Evropë

Maas: Shpjegime nga Moska për Navalnyn, përndryshe BE do të diskutojë për sanksione

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 13:37
Heiko Maas

Gjermania, që aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, do të fillojë diskutimet mbi sanksione të mundshme kundër Rusisë, nëse Moska nuk jep shpjegime për helmimin e opozitarit të njohur rus, Alexei Navalny, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

”Dhe kjo duhet bërë gjatë ditëve të ardhshme”, theksoi ai.

Ndërkohë, më shumë se 100 eurodeputetë kanë bërë thirrje për sanksione kundër atyre që janë përgjegjës për sulmet ndaj anëtarëve të opozitës dhe gazetarëve në Rusi, pas helmimit të Navalnyt.

Në një letër të hapur drejtuar shefit të punëve të jashtme të BE, Josep Borrell, anëtarët e grupeve të ndryshme politike në Parlamentin Europian bëjnë thirrje për “një hetim të plotë dhe transparent” të çështjes.

Ata përmendën sulmet ndaj një numri figurash kritike të qeverisë ruse, të tilla si gazetarja Ana Politkovskaja, e cila u qëllua për vdekje në ndërtesën e saj të banesës në Moskë në 2006, dhe ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal, i cili ishte helmuar me Novichok në Angli, në vitin 2018.

Navalny aktualisht është në koma në një spital të Berlinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat