Rusia: Nisim së shpejti vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19

Evropë

Rusia: Nisim së shpejti vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Vaksinimi në masë i popullsisë kundër koronavirusit me vaksinën ruse “Sputnik V” do të nisë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Aleksandër Gintsburg, drejtues i institutit Gamaleja në Moskë që zhvilloi këtë vaksinë, thotë për mediat vendase se kjo vaksinë është 100% efektive. Sipas Gintsburgut, vaksina mbron të vaksinuarit nga të gjitha sasitë e dozave të  virusit me të cilat ata mund të jenë përballur.

Kreu i institutit Gamaleja thotë se vaksina është në fazat përfundimtare të testeve, gjatë të cilave synohet të vërtetohet se vaksina nuk jep efekte anësore të rrezikshme. Sipas tij, Sputnik-V e ka vërtetuar këtë.

Të shtunën, revista prestigjoze shkencore Lanset publikoi një raport ku flitej për rezultatet pozitive të kësaj vaksine. Kjo trumpetohet edhe nga kreu i institutit Gamaleja.

Megjithatë, në shkrimin e kësaj reviste citohen vetëm rezultatet e publikuara nga Ministria ruse e Shëndetësisë, që për OBSH-në janë prova të pamjaftueshme për t’i dhënë zyrtarisht Rusisë trofeun e vaksinës së parë kundër COVID-19 në botë.

OBSH, por edhe qeveri e ekspertë të ndryshëm në Perëndim, hedhin dyshime për efektshmërinë e vaksinës, pasi thonë se Sputnik –V nuk i ka përfunduar ende të gjitha provat kilinike dhe autoritetet ruse janë nxituar në regjistrimin e kësaj vaksine.

Injektimet e para të vaksinës do të nisin në Tetor me kategoritë më të rrezikuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat