Zëdhënësi i komunës së Tuzit: Blloku proserb i ka zbutur qëndrimet antishqiptare

Evropë

Zëdhënësi i komunës së Tuzit: Blloku proserb i ka zbutur qëndrimet antishqiptare

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 14:28
Mali i zi

Mali i Zi vazhdon të jetë pa qeveri edhe kur kanë kaluar 10 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, që nxorën fitues Milo Gjukanoviç, por që nuk i dhanë atij numrat e duhur për të formuar mazhorancën qeverisëse. 

Zgjedhjet nxorën ndërkohë në një pozitë të përforcuar aleancën Për të ardhmen e Malit të Zi, që mbështet lidhjet me Serbinë dhe Rusinë dhe kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO.

Ndërkohë, aleanca e Zeza mbi të Bardhë, e udhëhequr nga Dritan Abazoviç ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të bëjë aleancë me Partinë Social Demokrate të Gjukanoviç, apo të vërë në rrezik interesat kombëtare të vendit, të cilat sipas tij janë rrugëtimet evropiane.

Kristjan Dukaj, analist, zëdhënës i komunës së Tuzit komentoi për Euronews Albania tubimet e ditëve të fundit në këtë vend, ku me mijëra njerëz kanë kundërshtuar përpjekjet e bllokut proserb për të ardhur në pushtet.

Dukaj tha se në Mal të Zi këto nuk konsiderohen protesta, pasi nuk kanë një udhëheqës të vetëm apo mbështetje politike, por si mbështetje ndaj vlerave evropiane të Malit të Zi, nuk duan që ndikimi serb të shtrihet edhe më shumë në Mal të Zi.

Ai tha se shqiptari Dritan Abazoviç, i cili konsiderohet si mjaft i rëndësishëm në krijimin e qeverisë së re, është në qendër të sulmeve dhe akuzave nga të gjitha palët, nga proserbët dhe shqiptarët.

“Protestuesit i bëjnë thirrje edhe shqiptarit Dritan Abazoviç që mos shkojë në bllokun tjetër proserb, por të zgjedhë rrugën evropiane.

Abazoviç tani është i sulmuar nga të gjitha anët, nga media serbe e shqiptare. Ende nuk kemi një zgjidhje për formimin e një qeverie. Kemi thirrje edhe të Listës shqiptare, e drejtuar nga Fatmir Zekaj, që është skeptik për të hyrë në qeveri me bllokun proserb.

Por ky bllok është zbutur në deklarata ditët e fundit ku thonë se nuk do tërheqin pavarësinë e Kosovës, siç janë shprehur në herët gjatë fushatës apo se janë kundër daljes së Malit të Zi nga NATO”, – u shpreh Dukaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat