Ukraina përballë rrezikut nga fruthi dhe koronavirusi

Evropë

Ukraina përballë rrezikut nga fruthi dhe koronavirusi

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 18:39
Ukraina

Vitin e kaluar Ukraina u godit rëndë nga fruthi ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi 57 mijë raste. Por si rezultat i karantinës nga koronavirusi, përhapja e fruthit u frenua. Tani pas rihapjes së shkollave dhe me afrimin e dimrit, mjekët po përgatiten mbi mundësinë e përhapjes së koronavirusit dhe fruthit.

Studentët në Ukrainë janë kthyer në auditore pas gjashtë muajsh mbyllje nga koronavirusi dhe pushimet verore.

Disa muaj kufizime nga distancimi fizik si rezultat i pandemisë, kanë frenuar përhapjen e infeksioneve të tjera, veçanërisht fruthit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, 246 njerëz janë prekur nga fruthi në shtatë mujat e parë të këtij viti. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë u regjistruan 55,603 raste.

Mjekët thonë se problemi tani qëndron tek rihapja e shkollave dhe tek nevoja e vaksinimit të fëmijëve nga fruthi.

Zonja Khrystyna Kuzemko po e dërgon djalin e saj për kontroll në klinikë. Ajo e di sa e rrezikshme është mosmarrja e vaksinës kundër fruthit.

“Në çdo epokë ka patur epidemi dhe është normaliteti i jetës. Ende nuk ka vaksinë kundër koronavirusit, por falë Zotit, kemi vaksina për ifeksione të tjera për të na mbrojtur.”

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, po i shikon me shqetësim zhvillimet. Lotta Sylwander është përfaqësuese për Ukrainën.

“Ajo që dimë mbi koronavirusit dhe situatën e shkaktuar është se vaksinimi për sëmundje të tjera ka rënë në mënyrë drastike. Vitin e kaluar në Ukrainë, pak më shumë se 40 për qind e fëmijëve u vaksinuan kundër fruthit. Këtë vit kemi patur një rënie drastike, pra vetëm 28 për qind e fëmijëve do të jenë ose janë vaksinuar për fruthin dhe sëmundje të tjera të fëmijërisë. Situata pra nuk është e mirë.”

Sipas zonjës Sylwander, prindërit nuk janë të mirëinformuar mbi vaksinën dhe nuk kanë besim tek vaksina kundër fruthit. Kështu ata rrëzikojnë shëndetin e fëmijëve të tyre. Ajo thotë se situata e koronavirusit ka rritur frikën e shkuarjes nëpër klinika.

“Kombinimi i kërcënimeve nga COVID-19 dhe fruthit mund të jetë një përzjerje vdekjeprurëse e sëmundjeve. Tani për tani, mendojmë se fruthi është ndoshta më i rrezikshëm për fëmijët sesa koronavirusi. Duket se fëmijët e shëndetshëm koronavirusi nuk i prek rëndë.”

Mjekja Iryna Pochernayaeva, me një klinikë shtetërore në Kiev, pajtohet me mendimin.

“Prindërit ndaluan frekuentimin e klinikave me fillimin e karantinës dhe nuk kanë vaksinuar fëmijët dhe foshnjat e tyre. Me lehtësimin e karantinës në maj dhe tani me fillimin e shkollës, situata po përmirësohet. Vaksinimi dhe rivaksinimi po bëhet tani. Ritmi tani është më i mirë krahasuar me periudhën mars-maj.”

Çdo nxënës në Ukrainë e ka të domosdoshme çertifikatën mjekësore që provon vaksinimin ndaj fruthit. Por ka edhe prindër që falsifikojnë çertifikatat dhe shmangin vaksinimin e fëmijëve.

Lyubov Dyachun është nënë e dy fëmijëve.

“Sigurisht që shqetësohem si gjithë të tjerët por nuk është asye për të mos lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë dhe arsimohen. Të gjithë jemi në këtë situatë të krijuar nga koronavirusi dhe fruthi. Ne nuk mund të ndyshojmë asgjë ndaj fëmijtë duhet të shkojnë në shkollë dhe të fitojnë imunitet.”

Disa prindër, si Kateryna Taranova e cila ka tre fëmijë, janë skeptikë rreth vaksinimit.

“I bëra vaksinën e fruthit njërit fëmijë dhe kam vendosur që të mos vaksinoj të tjerët, sepse kishte pasoja të rënda. Jam e irrituar pasi fëmija im pati temperaturë të lartë dhe shfaqje njollash në trup si rezultat i vaksinës.”

Sipas shifrave qeveritare, rastet me koronavirus u shtuan në shtator me 51 vdekje të regjistruara dhe 2,723 infektime të reja.

Kryetari i Bashkisë së Kievit Vitaliy Klitschko thotë se synimi i qeverisë lokale është parandalimi i përhapjes së infeksionit.

“Detyra jonë kryesore është marrja e masave për të parandaluar shpërthimet e sëmundjes në kushtet e reja të koronavirusit. Fëmijët janë më të rëndësishmit dhe shëndeti i tyre është përparësia jonë kryesore.”

Qeveria e ka ndarë vendin në zona të ndryshme në bazë të rrezikut. Sipas kësaj ndarje, qeveria ka mbyllur shkollat në zonat më të rrizikshme që ndryshe identifikohen si zonat e kuqe./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat