Evropa, në betejë për të ngadalësuar COVID-19

Evropë

Evropa, në betejë për të ngadalësuar COVID-19

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Shumë vende evropiane po përgatiten të zbatojnë masa të reja për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për një "situatë shumë serioze".

Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, qeveritë e Francës, Spanjës dhe Holandës pritet që të shpallin kufizime të reja.

Në kryeqytetin spanjoll, Madrid, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se sistemi rajonal i kujdesit shëndetësor po vihet nën presion serioz nga pacientët me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Ndërkohë, Franca pritet të vendosë masa të reja për qytetet e mëdha, duke përfshirë Lionin dhe Nicën.

Mbi 3 mijë raste të reja të të infektuarve me koronavirus janë regjistruar në Republikën Çeke më 17 shtator.

Vendi me 10.7 milionë banorë po regjistron një nga shifrat më të larta të të infektuarve në Evropë.

Të enjten, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se 300.000 raste të reja të të infektuarve u raportuan në të gjithë Evropën javën e kaluar.

"Megjithëse këta numra pasqyrojnë një testim më gjithëpërfshirës, ​a​to gjithashtu tregojnë për nivele alarmante të transmetimit në të gjithë rajonin", tha ai.

Mbi 30 milionë të infektuar në botë

Mbi 30 milionë njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri në nivel global, ka njoftuar Universiteti Johns Hopkins me seli në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë se 940,000 kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Vendet më të goditura janë Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili.

Shumë vende tani po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë, ndërsa dimri po afrohet.

Izraeli ka vendosur një bllokim të dytë mbarëkombëtar – vendi i parë i zhvilluar që e bën këtë.

Afrika ka regjistruar më shumë se një milion raste të konfirmuara, megjithëse nuk dihet përmasat e vërteta të pandemisë në këtë kontinent. Shkalla e testimit raportohet të jetë e ulët, gjë që mund të shtrembërojë shifrat zyrtare.

Çfarë po ndodh me testimet e vaksinave?

Një numër i vendeve dhe kompanive po bëjnë përpjekje për të gjetur një vaksinë të sigurt dhe efektive ndaj COVID-19.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kohët e fundit ka thënë se një vaksinë mund të jetë në dispozicion para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit - pavarësisht paralajmërimeve nga një numër ekspertësh shëndetësorë që kjo është joreale.

Rusia në gusht licencoi një vaksinë për përdorim lokal duke u bërë vendi i parë që e ndërmori këtë veprim. Shkencëtarët rusë më vonë publikuan raportin e parë mbi vaksinën, duke thënë se testet e hershme treguan shenja të një përgjigje imune, shkruan BBC.

Por, ekspertët paralajmëruan se provat ishin shumë të pakta për të provuar efektivitetin dhe sigurinë e vaksinës.

Asnjë vaksinë nuk ka përfunduar ende provat klinike.

Vaksina, që po zhvillohet nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit në Britani, është një prej projekteve më premtuese në luftën kundër sëmundjes COVID-19.

AstraZeneca është një prej tri kompanive që kanë arritur në fazën e tretë të testimeve të vaksinave për koronavirus në Shtetet e Bashkuara, meqë atje janë siguruar mijëra vullnetarë për marrje të vaksinës.

Dy vaksinat e tjera po zhvillohen nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se aktualisht në botë janë duke u testuar rreth 180 vaksina potenciale kundër koronavirusit.

Ekzistojnë shqetësime se gara për të poseduar një vaksinë do të përvetësohet nga vendet më të pasura, në kurriz të atyre të varfra.

Në të njëjtën kohë, më shumë se 150 ilaçe të ndryshme janë duke u hulumtuar për të identifikuar trajtimet për të sëmurët më gjendje të rëndë me COVID-19.

Nga të gjitha ilaçet që po provohen, vetëm steroidet janë provuar se shpëtojnë jetë dhe zbulimi ka qenë një përparim i rëndësishëm.

Provat e rikuperimit të pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar treguan se deksametazona ul rrezikun e vdekjes.

Të dhënat tjera sugjerojnë se një tjetër steroid, hidrokortizoni, është po aq efektiv gjithashtu./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat