Policia bjelloruse arreston qindra protestues në Minsk

Evropë

Policia bjelloruse arreston qindra protestues në Minsk

Më: 20 shtator 2020 Në ora: 07:28
Protesta

Policia bjelloruse arrestoi të shtunën qindra protestues në qendër të Minskut, tha një dëshmitar, ndërsa rreth 2 mijë njerëz marshuan nëpër qytet duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Alexander Lukashenko.

Bjellorusia, një ish-republikë sovjetike e lidhur ngushtë me Rusinë, është tronditur nga protesta masive në rrugë që kur zoti Lukashenko pretendoi një fitore të madhe në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, që kundërshtarët e tij thonë se ishin manipuluar. Ai e mohon akuzën e tyre. Protestuesit e së shtunës, shumica prej tyre gra, u përleshën shkurtimisht me policinë e cila më pas u bllokoi rrugën dhe filloi të merrte njerëzit një nga një nga turma, tha dëshmitari.

Në një vendndodhje, dhjetëra protestuese femra mund të shiheshin të rrethuara nga burra me uniforma jeshile dhe maska të zeza jashtë një qendre tregtare ndërsa bërtisnin “Vetëm frikacakët rrahin gratë!”. Mes të arrestuarve ishte aktivistja 73 vjeçare e opozitës Nina Baginskaya e cila është bërë ikonë e lëvizjes protestuese pasi u përlesh me policë të armatosur muajin e kaluar.

Një protestuese femër u mor me ambulancë pasi ishte shtrirë në tokë, me sa duket pa ndjenja. Goditja e Presidentit Lukashenko ndaj protestave ka bërë që Bashkimi Evropian të shqyrtojë sanksione të reja kundër qeverisë së tij. Presidenti, i cili ka drejtuar Bjellorusinë për 26 vjet, thotë se protestuesit po mbështeten nga fuqitë e huaja. Në fillim të këtij muaji, ai siguroi një fond shpëtimi prej 1.5 miliard dollarësh nga Moska./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat