Kryetari i Vjenës kaloi ditën duke pastruar rrugët e qytetit

Evropë

Kryetari i Vjenës kaloi ditën duke pastruar rrugët e qytetit

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 11:43
Kryetari i Vjenës kaloi ditën duke pastruar rrugët e qytetit

Kryetari i Vjenës, Michael Ludwig, e ka kaluar ditën e djeshme me punëtorët e kompanisë komunale të pastrimit të rrugëve (MA48) të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Vjenës e kishte filluar ditën e hënë në orën 6 të mëngjesit duke mbledhur mbeturina dhe duke pastruar rrugët e qytetit, të cilin e udhëheq që prej 4 vjetëve.

“Mendoj se është mbresëlënëse ajo çfarë bën MA48. Gjithmonë më ka pëlqyer fakti që ka njerëz të vullnetshëm dhe që punojnë nat e ditë që të bëjnë Vjenën një nga qytetet më të pastra në botë”, tha Michael Ludwig.

Njerëzit ishin të habitur kur shihnin kryetarin duke bartur karrocat e mbeturinave nga oborret e shtëpive apo rrugëve të lagjeve, raporton Krone zeitung.

“Ngjyra e portokalltë po ju rri shumë mirë, zotëri kryetar”, i tha një grua.

Kryetari Ludwig (SPÖ), i cili kandidon për mandatin e dytë të Vjenës, ditën e punës e përfundoi në orën 14.00. “Punonjësit e MA 48 janë si heronjtë e rrugës”, u shpreh ai. “Ishte rraskapitëse, duhet të kesh kujdes gjithashtu që të mos lëndohesh. Por ishte bukur. Puna ekipore ishte e shkëlqyeshme”.

Ai falënderon punonjësit të cilët punën e tyre e kryejnë me nder: “Turni ynë ishte përreth zonës së Danubit dhe mund të them vetëm se për këta njerëz të zellshëm dhe punëtorë: E heqë kapelën! Jam krenar që jam kryetar i qytetit të Vjenës, ku mbledhja e mbeturinave dhe pastrimi i qytetit funksionon aq mirë. Falënderoj punonjësit e MA48, puna e përditshme e të cilëve jep një kontribut të madh në mbrojtjen e klimës”, ka shkruar ai në Facebook.

Siç ka informuar Albinfo Austria ditë më parë, zgjedhjet për Bashkinë e Vjenës do të mbahen me 11 tetor. Michael Ludwig nga partia SPÖ kandidon përsëri dhe është favorit për të fituar edhe një mandat të ri si kryetar i Vjenës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat