Britania vendos kufizime të reja për COVID-19

Evropë

Britania vendos kufizime të reja për COVID-19

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 19:14
Britani

Britania u bë vendi më i fundit evropian që vendosi të mërkurën kufizime të reja për grumbullimet e njerëzve pas një rritje të mprehtë në nivelet e transmetimit të koronavirusit. Numri i rasteve të reja është pothuajse dyfishuar çdo javë - dhe zyrtari më i lartë për shëndetësinë ka paralajmëruar për 50,000 infeksione të reja çdo ditë nëse vazhdon kjo prirje. Britania ka pësuar numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në Evropë, me mbi 41,000 viktima.

Sipas rregullave të reja, klubet dhe restorantet do të detyrohen të mbyllen në orën 22:00. Njerëzit përsëri inkurajohen të punojnë nga shtëpia.

Në një fjalim televiziv të martën, kryeministri Boris Johnson ia vuri fajin pjesërisht publikut.

"Ndërsa shumica dërrmuese i janë përmbajtur rregullave, ka pasur shumë shkelje, shumë mundësi, që armiku ynë i padukshëm të kalojë pa u zbuluar. Virusi ka filluar të përhapet përsëri në një mënyrë eksponenciale", tha kryeministri Johnson.

Në gusht, qeveria u përpoq t'i inkurajonte njerëzit të dilnin dhe të shpenzonin - duke u paguar gjysmën e faturave të ushqimit në restorante dhe duke inkurajuar punonjësit të ktheheshin në zyrë. Shumë njerëz janë konfuzë me ndryshimin e mesazhit.

"Është e gjitha pak çoroditëse, askush nuk e di cilën rrugë duhet të ndjekë", thotë Adam, një banor i Londrës.

“Nuk ka patur një mesazh të qartë, specifik”, thotë Richard, banor në Londër.

Disa ekspertë mjekësorë kanë shprehur shqetësim se kufizimet e reja janë të pamjaftueshme.

“Gjërat tashmë me të vërtetë kanë filluar t'i shpëtojnë kontrollit tonë, veçanërisht me testimin. Duke pasur parasysh të gjitha këto, jam i shqetësuar nëse masat që u njoftuan dje do të jenë në të vërtetë të mjaftueshme për të ndalur valën", thotë Dr. Peter Drobac, ekspert i shëndetit global në Universitetin e Oksfordit.

Të tjerë thonë se vendimi i qeverisë për të mos urdhëruar një bllokim të plotë, është i drejtë.

“Është një dimër i gjatë. Ne nuk kemi mundësi të vendosim tani masa të ashpra sepse ndikimi tek ekonomia këtu do të jetë i konsiderueshëm - sa më shpejt të vendoset mbyllja dhe pastaj përsëri hapja, virusi ka tendencë të kthehet", thotë Carl Heneghan, drejtor në qendrën për mjekësinë e bazuar në prova në Universitetin e Oksfordit.

Në javët e fundit disa njerëz me simptoma të koronavirusit janë munduar të bëjnë teste dhe rezultatet janë vonuar. Qeveria thotë se problemet do të zgjidhen brenda disa javësh.

“Nëse shikoni vendet që kanë qenë më të suksesshme, përfshirë vendet që nuk u është dashur asnjëherë të mbyllen plotësisht, një nga ndryshimet e mëdha është se ata kanë investuar herët në aftësitë e testimit dhe gjurmimit të virusit. Ne kurrë nuk mendoj se e kemi arritur këtë aftësi këtu në Britaninë e Madhe", thotë Dr. Peter Drobac.

Grupet e biznesit - veçanërisht klubet e natës dhe restorantet - kanë shprehur alarmin për shtimin e kufizimeve.

"Ne ende kemi një në pesë lokale të mbyllura, 900,000 njerëz ende të varur nga asistenca e papunësisë, e cila mbaron për disa javë. Dhe kufizimi për mbyllje do të thotë që bizneset duhet të jenë bosh, dhe të mbyllura në orën 22:00. Kjo përgjysmon të ardhurat e restoranteve dhe shkatërron tregtinë e sektorit të klubeve të natës", thotë Kate Nicholls, shefe ekzekutive me organizatën UK Hospitality.

Skema e ndihmës nga qeveria ka mbështetur rreth 10 milionë vende pune. Ajo do të përfundojë muajin tjetër dhe Kryeministri Johnson është nën presion për ta zgjatur atë mes paralajmërimeve të rritjes së papunësisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat