BE dhe shteti ligjor: Zgjimi i vonuar

Evropë

BE dhe shteti ligjor: Zgjimi i vonuar

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 10:15
Vera Jourova

Komisioni Europian paraqiti raportin e parë për gjendjen e shtetit ligjor në vendet anëtare të BE. Aty vlerësohen dhe situata e lirisë së shtypit, pavarësia e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit.

Komisionerja e BE, Vera Jourova tingëlloi gati si në pozicion mbrojtës, kur paraqiti kriteret në bazë të të cilave është vlerësuar gjendja e shtetit ligjor në 27 vendet anëtare. Komisionerja nga Çekia tha, se synohet që të përcaktohen herët problemet e mundshme. Raporti është objektiv, vendet janë vlerësuar në bazë të të njëjtave kritere dhe ka si vlerësime pozitive ashtu edhe negative për situatën në BE.

Kërkimi i transparencës

Komisioni Europian u përpoq të mënjanonte prerazi përshtypjen e partishmërisë politike. Në të gjitha vendet e BE, funksionarët e BE kanë marrë kontakt me autoritetet publike, parlamentet, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatat profesionale dhe organizata të tjera për të kuptuar situatën. Në këtë raport të parë mbi gjendjen e shtetit ligjor janë në fokus katër fusha: Liria e mediave, luftimi i korrupsionit, pluralizmi i shoqërisë dhe mënyra e funksionimit të drejtësisë. "Unë jam rritur në një shtet autoritar, ku barazia para ligjit ishte iluzion dhe një drejtësi e emëruar nga politika nuk e shqiptonte të drejtën", deklaroi Jourova e rritur në Çekosllokavinë e dikurshme komuniste. Ajo që kërkohet është kufizimi i pushtetit të qeverive, respektimi i ndarjes së pushteteve, barazia para ligjit dhe parime të tjera, që bëjnë pjesë në parimet bazë të BE. "Mungesa e ligjshmërisë ka efekte konkrete", tha Jourova

Polonia

"Reformat juridike në Poloni që nga viti 2015 kanë qenë një temë mjaft e konstestuar si në BE ashtu edhe në vend dhe ishin shkas për shqetësim serioz", kritikon KE. Ndikimi i ekzekutiviti, pra i politikës është rritur vazhdimisht dhe është dobësuar pavarësia e drejtësisë. Nga BE janë iniciuar dy procedura për shkeljen e marrëveshjeve të BE dhe disa padi në Gjykatën Europiane.

Dobësi strukturore janë vënë re edhe tek autoriteti antikorrupsion dhe ka dyshime për pavarësinë e autoritetit të mbikqyrjes së medias. Mungon transparenca për marrëdhëniet pronësore të organeve të shtypit. Edhe sistemi i "kontrollit dhe balancimit" demokratik është dobësuar, kështu që opozita dhe shoqatat profesionale nuk janë përfshirë në përpilimin e disa projektigjeve.

Image
Protesta kundër reformës në drejtësi në Poloni

Hungaria

Hungaria ka një listë shumë të gjatë kritikash: Pavarësia e drejtësisë në këtë vend e shqetëson prej kohësh BE, sidomos në emërimin e gjyqtarëve të lartë. Në luftën kundër korrupsionit mungojnë kontrollorë të pavarur dhe lidhja e ngushtë mes politikës dhe sipërmarrjeve shtetërore nxit ryshfetin. Akuzat për korrupsion nuk janë ndjekur si duhet dhe është dobësuar kontrolli përmes shoqërisë civile, sepse liria e medias është kufizuar gjithnjë e më shumë. Klima për organizatat joqeveritare po bëhet gjithnjë e më armiqësore dhe liria e informacionit është kufizuar.

Tek shtypi ka dyshime në pavarësinë e autoritetit mbikqyrës të pavarësisë, dhe mungon transparenca në përqëndrimin e medias në disa pronësi. Qeveria i influencon mediat përmes shpërndarjes rrregullisht të reklamave. Mediat e pavarura pengohen sistematikisht dhe frikësohen. Komisioni ka kritika edhe në procedurën e ligjvënies, ku vihet re dobësimi i institucioneve të pavarura dhe presioni ndaj shoqërisë civile. KE përforcon në tërësi vlerësimin e komisioneres, Vera Jourova, që në një intervistë e kishte quajtur demokracinë hungareze "të sëmurë", gjë që solli kërkesën për dorëheqjen e saj nga ana e kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe ndërprerjen e kontakteve.

Image
Protesta kundër ndikimit të politikës ndaj medias në Budapest

Bullgaria, Malta dhe vende të tjera...

Në Bullgari kritikohet zbatimi i ngadalshëm i reformave të nevojshme në drejtësi. E megjithë disa përmirësime në luftimin e korrupsionit, ka "sfida të mëdha" dhe besim të pakët të opinionit. Prej muajsh ka demonstrata masive në Bullgari, që drejtohen sidomos kundër qeverisë, që demonstruesit e cilësojnë të korruptuar. Probleme ky vend ka edhe në zbatimin e lirisë së shtypit dhe kufizimin e punës së disa organizatave joqeveritare. Tek Malta kritikohen struktura të thelluara të korrupsionit dhe kërkohet përshpejtimi i proceseve të reformave. Kjo vlen edhe për drejtësinë e pavarur, ku Malta ka deficite të rënda. Pas vrasjes së gazetares, Daphne Garuana Galizia ka shqetësim edhe për sigurinë e gazetarëve, që vuajnë nga frikësimi ligjor.

Por dobësi Komisioni Europian ka vërejtur edhe në Gjermani, si për shembull tek pavarësia e prokurorisë dhe digjitalizimin e ngadalshëm të drejtësisë. Në Itali dhe Greqi kritikohet ngadalësia e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Edhe në vendet "shembull" në drejtim të zhvillimit demokratik, KE gjen pika ku ka nevojë për përmirësim.

Image
Protesta kundër qeverisë në Bullgari

Kritika pa efekt?

"Ata vetëm lehin, nuk kafshojnë" e kritikon organizata Greenpeace këtë raport të Brukselit mbi situatën ligjore në BE duke theksuar mungesën e sanksioneve të efektshme. Edhe eurodeputetë të të Gjelbërve e vlerësojnë raportin si zhgënjyes. Aty mungojnë të drejtat bazë dhe mbrojtja e pakicave, shprehet Sergey Lagodinsky. Komisionerët e BE e pranojnë, se mjeti kryesor që kanë ata në dorë është "dialogu" dhe se ata kanë në dorë vetëm instrumentet e njohur të BE, që prej vitesh kanë treguar se nuk kanë efekt.

Rëndësi ka një vendim: Gjermania, si presidente e radhës së BEngarkohet që së bashku me Parlamentin Europian të negociojnë "ndëshkime" financiare për shkelje të vazhdueshme të parimeve të shtetit ligjor. Në këtë rast në të ardhmen mund të shkurtohen mjetet financiare të BE ose edhe të ndërpriten plotësisht. Zëdhënësi i presidencës gjermane, Sebastian Fischer shkroi në twitter, se shumica e vendeve anëtare është për këtë, megjithëse debati është "polarizues". Polonia dhe Hungaria luftojnë me forcë kundër futjes së një mekanizmi të tillë dhe kërcënojnë të bllokojnë plotësisht buxhetin e BE dhe fondin e rimëkëmbjes nga Corona./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat