BE – Britani drejt gjyqit për shkak të shkeljes nga Londra të marrëveshjes së Brexitit

Evropë

BE – Britani drejt gjyqit për shkak të shkeljes nga Londra të marrëveshjes së Brexitit

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 15:35
Foto Ilustrim

Bashkimi Evropian do të ndërmarrë procedura ligjore kundër Britanisë së Madhe rreth planit të Boris Johnsonit për Brexitin. Mediat gjermane njoftojnë se kjo vjen pas projektligjit të kaluar në Londër ku shkelen kushtet e marrëveshjeve paraprake të Brexitit dhe shkelet ligji ndërkombëtar.

“Komisioni ka vendosur t’i dërgojë një letër zyrtare qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar,” njoftoi në Bruksel presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Projektligji që kaloi është për nga natyra e tij një shkelje e detyrimit të mirëbesimit të përcaktuar në Marrëveshjen e Tërheqjes.”

Letra e dërguar nga kryetarja e Komisionit Europian është hapi i parë që mund të shkojë më pas drejt një procesi gjyqësor në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Deputetët britanikë votuan në favor të Projektligjit të Tregut të Brendshëm të MB, i cili do t’i jepte qeverisë fuqinë për të anashkaluar Marrëveshjen e Tërheqjes me BE-në.

Projekt-ligji kaloi me 340 vota pro për 256 kundër.

Sidoqoftë, Projektligji duhet të miratohet nga Dhoma e Lordëve përpara se të marrë fuqinë e Ligjit. Kjo lëvizje e njëanshme e britanikëve ka sjellë edhe reagimet e BE-së.

Kryetarja e Komisionit Europiane Von der Leyen vendosi edhe një afat, duke i dhënë Britanisë së Madhe një muaj për t’u përgjigjur.

Kritikë ndaj këtij ligji janë ndër të tjerë edhe ish-kryeministrat britanikë, që thonë se ligji do të dëmtojë qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në mosmarrëveshjet e tjera ndërkombëtare.

Projekt-ligji ndërkohë, nga mediet angleze është parë si një përpjekje nga Britania e Madhe për të fituar kushte më të mira negocimi me BE-në. Pa një marrëveshje, Britania e Madhe do të dalë nga tregu europiane dhe bashkimi doganor më 31 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat