Në emër të jetës, kulla Eiffel në Paris ndryshon ngjyrën sot për një arsye madhore

Evropë

Në emër të jetës, kulla Eiffel në Paris ndryshon ngjyrën sot për një arsye madhore

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 18:59
Ilustrim

Këtë enjte, 1 tetor 2020, kulla Eiffel do të jetë e gjitha rozë për të sinjalizuar nisjen e Tetorit Rozë në Paris. Një mesazh i mrekullueshëm për të mbështetur të gjitha gratë (dhe burrat) që luftojnë kundër kancerit të gjirit, para një muaji të mbushur me ngjarje e nisma për të mbledhur sa më shumë fonde në ndihmë të mijëra grave që vuajnë në të gjithë botën nga sëmundja e rëndë.

Shoqata “Le Cancer du Sein, Parlons-En!”, fillon edicionin e 27-të të Tetorit Rozë në Francë, dhe qëllimi i saj është të rritë ndërgjegjësimin dhe mbështetjen në luftën kundër sëmundjes.

Sot, nëse zbulohet në kohë, 9 lloje të kancerit të gjirit, nga 10, mund të shërohen. Por mbi 58 mijë raste të reja gjenden çdo vit në Francë dhe kanceri i gjirit është ndër sëmundjet që regjistron më shumë vdekje tek gratë.

Tetori, në të gjithë botën, njihet si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare, e cila synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat.

Çdo vit, kjo fushatë fillon më 1 tetor dhe përfundon më 31 tetor. Fushata organizohet edhe për të mbledhur fonde për kërkime shkencore për zbulimin e shkaqeve, parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e këtij kanceri. Fushata, gjithashtu, ofron informacion dhe mbështetje për femrat që janë të prekura nga kanceri i gjirit.

Në vitin 1993, Fondacioni i kërkimeve mbi kancerin, themeloi fjongon rozë si simbol të kancerit të gjirit, edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që kjo fjongo u përdor për të simbolizuar kancerin e gjirit.

Që atëherë, fjongoja rozë u bë simboli ndërkombëtar i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe i mbështetjes së personave që e vuanin atë.

Çdo tetor, me qindra e mijëra produkte të pajisura me fjongon rozë, apo të ngjyrosura me rozë, shërbejnë si simbolikë dhe shiten me qëllim që një pjesë e vogël e të ardhurave të grumbulluara të jepet si donacion për të mbështetur kërkimet apo fushatat ndërgjegjeësuese të kancerit të gjirit.

Në këtë ditë, dhjetëra gra e vajza, përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme, partnerë dhe organizatorë të fushatës kundër kancerit mblidhen për të përcjellë mesazhe të forta, si pjesë e një kauze kaq të madhe siç është kujdesi dhe mbrojtja e shëndetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat