Dramë në jug të Anglisë: Udhëtarët e paligjshëm kërcënojnë ekuipazhin e anijes, ndërhyn ushtria

Evropë

Dramë në jug të Anglisë: Udhëtarët e paligjshëm kërcënojnë ekuipazhin e anijes, ndërhyn ushtria

Nga: D.G. Më: 26 tetor 2020 Në ora: 07:58
Anije cisternë (Ilustrim)

Ushtria britanike ka arrestuar të dielën në mbrëmje shtatë të dyshuar dhe "ka marrë nën kontroll" mbi një anije cisternë në jug të Anglisë, ekuipazhi i së cilës u kërcënua nga pasagjerë të paligjshëm në bord, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ndërhyrja ushtarake i dha fund krizës që filloi rreth dhjetë orë më parë pranë Ishullit të Wight.

"Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, me kërkesë të policisë, autorizuan forcat e armatosura të hipnin në anijen në La Manch për të mbrojtur jetët dhe anijen e dyshuar të rrëmbyer," tha ministria e mbrojtjes në Twitter.

"Forcat e armatosura morën kontrollin e anijes dhe arrestuan shtatë persona," tha i njëjti burim, duke shtuar se ekuipazhi ishte "shëndosh e mirë" sipas informacionit të parë. "Hetimi i policisë po vazhdon," njoftoi ministria në Twitter.

Policia e Hampshire tha se policia të dielën në mëngjes mori një raport për një situate shqetësuese të ekuipazhit në cisternën Nave Andromeda, që ishte gjashtë milje detare nga Isle of Wight, në jug të Anglisë.

Policia u informua se pasagjerët e paligjshëm në anije "kërcënuan verbalisht" ekuipazhin. Sipas të njëjtit burim nuk ka informacion për të plagosur.

Ministri i mbrojtjes Ben Wallacee në një mesazh në Twitter vlerësoi guximin e pjesëmarrësve në ndërhyrje. "Njerëzit janë të sigurt sonte falë punës së tyre të palodhur", tha ai.

Ministri i brendshëm Priti Patel vlerësoi "veprimin e shpejtë dhe vendimtar të policisë dhe forcave tona të armatosura të cilët kanë marrë kontrollin e situatës duke siguruar sigurinë e të gjithëve në bord".

Firma ligjore Tatham & Co, e cila përfaqëson pronarët e anijes, i tha BBC se nuk është fjala për përpjekje rrëmbimi, si shkruanin disa media.

BBC deklaron, duke cituar një burim të afërt me kompaninë e transportit, se pasagjerët e paligjshëm, prania e të cilëve në anije u zbulua pas një kohe, u bënë të dhunshëm ndaj ekuipazhit që u mbyll në "kështjellë", dhomën e anijes me një derë sigurie.

Garda Bregdetare, e cila mobilizoi dy helikopterë, po ndihmon policinë, tha një zëdhënëse.

Radio lokale Isle of Wight fillimisht përmendi mundësinë e rrëmbimit të një cisterne të gjatë 228 metra që fluturonte me flamurin Liberian që mbante 42,000 tonë naftë të papërpunuar.

Rrjeti Sky News raportoi se anija, e cila u nis nga Nigeria në fillim të tetorit, duhej të mbërrinte në Southampton të dielën në mëngjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat