Franca, me 36.000 ushtarë në vende të huaja, i thotë Turqisë që të mos i përzihet në punët e brendshme

Evropë

Franca, me 36.000 ushtarë në vende të huaja, i thotë Turqisë që të mos i përzihet në punët e brendshme

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 11:28
Macron

Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin, tha të martën se Turqia nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të vendit të tij.

Deklarata e këtij ministri erdhi pas thirrjes së presidentit turk, Rexhep Erdogan, për bojkotimin e produkteve franceze me arsyetimin se homologu i tij francez, Emanuel Makron, e ka nisur një agjendë kundër Islamit, shkruan Reuters.

“Duhet të tronditemi secili nga ne që fuqitë e huaja po përzihen në atë që është duke ndodhur në Francë. Turqia nuk duhet të përzihet në çështjet e brendshme të Francës”, tha ministri Darmanin.

Sidoqoftë, duket se ky ministër ka harruar që vendi i tij ka ndërhyrë në punët e brendshme të shumë shteteve. Franca aktualisht i ka rreth 36.000 ushtarë të angazhuar në kontinente të ndryshme, nga Haiti, në Amerikën e Mesme, deri në Bregun e Fildishtë, në Afrikë e Afganistani në Azi.

Presidenti Makron gjithashtu së fundi e ka mbikëqyrur për së afërmi situatën politike në Liban, duke e vizituar atë vend dhe duke u bërë presion politikanëve rreth formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Komentet e presidentit turk të hënën ishin shenja e fundit e shprehjes së zemërimit të botës islame ndaj publikimit së karikaturave të profetit Muhamed. Presidenti Erdogan madje e vuri në pikëpyetje shëndetin mendor të homologut francez, që e nxiti këtë të fundit për ta tërhequr ambasadorin nga Ankaraja.

Në anën tjetër, presidenti francez, i cili të hënën u takua me përfaqësues të komunitetit mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë atë që e ka quajtur “separatizëm islamik”.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës u tensionuan pas sulmit me thikë të 16 tetorit, ku një i ri me prejardhje çeçene ia hoqi kokën mësuesit Samuel Paty, i cili kishte shfaqur një karikaturë të profetit Muhamed para nxënësve gjatë orës së mësimit për lirinë e shprehjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat