Turqia ndjek me vëmendje garën presidenciale në SHBA

Evropë

Turqia ndjek me vëmendje garën presidenciale në SHBA

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 18:48
Flamuri amerikan dhe ai turk

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara po ndiqen me shumë interes në Turqi në klimën e tensioneve në rritje mes dy vendeve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, shumë vetë kanë përshtypjen se Donald Trump ka një marrëdhënie të mirë me udhëheqësin turk Rexhep Tajip Erdogan ndërsa të tjerë besojnë se rivali i tij demokrat Joe Biden do të sjellë një qasje më të vendosur dhe pragmatike.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përshkallëzoi tensionet me Shtetet e Bashkuara të dielën, duke sfiduar Uashingtonin që të vendoste sanksione ndaj Turqisë.

Zoti Erdogan po i përgjigjej reagimit të Uashingtonit pasi Turqia bëri një provë me sistemin e raketave S 400 që ka blerë nga Rusia. Uashingtoni pretendon se blerja e raketave shkel ligjin amerikan dhe komprometon sistemet e mbrojtjes së NATO-s.

Kërcënimi i sanksioneve amerikane ndaj Turqisë është rritur ndërsa Turqia, anëtare e NATO-s thellon lidhjet e saj me Rusinë.

Por analistët thonë se ndërsa marrëdhëniet SHBA-Turqi përkeqësohen, marrëdhënia e zotit Erdogan me Presidentin Trump është thelluar.

"Trump ka qenë në thelb lidhja e vetme midis Turqisë dhe Uashingtonit. Marrëdhënia mes dy vendeve ka qenë aq e keqe gjatë dy viteve të fundit saqë linja e komunikimit mes presidentëve Erdogan dhe Trump, ka qenë në të vërtetë e vetmja lidhje, që ka parandaluar një shkëputje të plotë në shumë mënyra ", thotë anëtarja e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Asla Aydintasbas.

Kritikët akuzojnë zotin Trump se ka heshtur ndaj përkeqësimit të gjendjes së të drejtave të njeriut në Turqi, pavarësisht se ajo është dënuar gjerësisht në arenën ndërkombëtare.

Rivali i tij demokrat Joe Biden është shumë kritik ndaj marrëdhënies Trump-Erdogan, duke premtuar një qëndrim më të ashpër ndaj Turqisë.

"Me një administratë Biden, me siguri do të ketë një theks më të madh tek të drejtat e njeriut dhe demokracia, siç ka qenë tradicionalisht rasti në marrëdhëniet e Turqisë me SHBA. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë përdorur stimuj dhe paralajmërime, duke përçuar mesazhin se do të donin që Turqia të ishte partnere politike, por njëkohësisht të përmirësohej gjendja në vend”, thotë zonja Aydintasbas.

Turqia është strategjikisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s, si vend fqinj me Irakun, Iranin dhe Sirinë.

Zoti Biden ka bashkëpunuar me zotin Erdogan lidhur me Sirinë dhe zona të tjera të nxehta gjatë administratës Obama dhe Ankaraja po shpreson tek një pragmatizëm nga ana demokratëve nëse ai fiton.

"Qeveritë gjithashtu veprojnë në përputhje me interesat e tyre jetikë, dhe interesa jetike jo vetëm brenda NATO-s, por edhe në Lindjen e Mesme. Pa Turqinë, nuk mund të bësh përparim në Lindjen e Mesme dhe Detin e Zi", thotë Mesut Casin, këshilltar i Presidentit Erdogan.

Cilido që të fitojë zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, politika ndaj Turqisë ka gjasa të jetë një nga çështjet më të ngutshme dhe të rëndësishme gjatë katër viteve të ardhshme./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat